Kamza Elbasani me shumë mundësi luhet në Skënder Halili
Kamzalinjtë e presidentit Naim Qarri janë të privuar që të luajnë në stadiumin e tyre, prandaj atyre u duhet të studiojnë alternativa të tjera, të cilat nuk janë larg Kamzës
Nga ILIR CARA
Kamza e Kategorisë së Parë është ndryshe nga ajo e një viti më parë, kur debutonin në superligë. Kamzalinjtë kanë kaluar një verë të nxehtë ku mosmarrëveshjet mes aksionarëve të shoqërisë po pasqyrohen edhe tek realiteti i sotëm i skuadrës. Kamza e ka nisur aktivitetin e braktisur nga bashkia, e cila para disa ditësh me anë të një deklarate publike ka bërë të ditur se nuk e njeh skuadrën e ngritur nga presidenti Naim Qarri, kështu që ky ekip nuk mund të përdorë asetet që zotëron qeveria vendore. Pra Kamza nuk mund të përdorë stadiumin e saj, i cili po i nënshtrohet edhe një rikonstruksioni të marrë nga bashkia, ku do të ndërtohet një tribunë e re me nëntë shkallë. Prandaj, për ndeshjet brenda presidenti Qarri duhet të gjejë një fushë tjetër për ti pritur miqtë. Kampionati për kamzalinjtë nisi në transfertë, ku barazuan 0-0 ndaj Butrintit. Këtë fundjavë kamazilinjtë presin Elbasanin dhe me shumë mundësi ky takim mund të luhet në kompleksin Skënder Halili, kompleks i cili përdoret nga Tirana. Kjo metodë do të vijojë gjatë për Kamzën, e cila është e detyruar që ndeshjet brenda të mos i luajë pranë tifozerisë vendase, por në fusha alternativë, siç mund të jetë kompleksi Skënder Halili, stadiumi Selman Stërmasi, stadiumi i Fushë Krujës, apo ai i Krujës. Gjithsesi, kamzlainjtë kanë besim se ata do ta kenë përkrahjen e tifozëve vendas, të cilët në sezonet e fundit kanë qenë besnikë duke i ndjekur edhe në transferta të largëta. Pika në Sarandë u konsiderua rezultat pozitiv për ekipin e trajnerit Sajmir Malko, pasi për 88 minuta ishin të detyruar të luajnë me një lojtarë më pak. Ndaj Elbasanit të besuarit e trajnerit Malko do të kërkojnë tripikëshin e parë sezonal, pasi vetëm kështu mund të mbeten pjesë e grupit, që pretendon ngjitjen në superligë. Kamzalinjëve nuk u mungojnë lojtarët me përvojë, si kapiteni Fatjon Tafaj, portieri Mario Bytyçi, mbrojtësi Ardit Beqiri, mesfushori Sokol Ishka, sulmuesi Rezart Maho dhe disa të tjerë, prandaj gjithçka është e mundur.
