E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndërron suksesin me Argjentinën

Lionel Messi ka zbuluar se ëndërr e tij është të bëhet i suksesshëm me Argjentinën disa ditë para fillimit të kualifikimeve për Botërorin 2014, ku argjentinasit do të luajnë me Paraguain e Perunë.

Ylli argjentinas ka shijuar suksese të jashtëzakonshme me Barcelonën që nga debutimi i tij në vitin 2004, por dështoi ta fitonte ndonjë trofe të rëndësishëm me përfaqësuesen e tij.

“Kisha fatin e mirë të fitoja trofe me ekipin tim dhe në nivelin personal. Por, më mungon suksesi me ekipin kombëtar. Kjo është ëndërr e imja. Është e vështirë rruga për Botëror”, theksoi fillimisht Messi në konferencë për shtyp.

‘Albiceleste’ aktualisht gjendet në pozitën e tretë nga nëntë ekipe në Amerikën e Jugut, duke regjistruar 3 fitore, 1 barazim e 1 humbje nga pesë përballjet e para. Messi insiston se vendi i tij mund të dalë me rezultat pozitiv nga dy sfidat e radhës.

“Paraguai e Peruja do të jenë dy kundërshtarë të vështirë, por të gjitha ndeshjet kualifikuese janë të vështira. Kualifikimet janë mjaft të forta dhe ne duhet të përmirësohemi si ekip. Ndaj Paraguait duhet ta mbajmë topin dhe të sulmojmë, sepse ai është ekip i fortë. Duhet të punojmë të qetë dhe ta kërkojmë rezultatin. Shpresoj të vazhdojmë kështu në dy ndeshjet e radhës. Do të mundohemi të luajmë mirë dhe t’i zbavitim shikuesit”, përfundoi futbollisti më i mirë në botë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›