E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Piero shpëton Juventusin nga turpi kundër Breshias

Del Piero shpëton Juventusin! Është një fjali e shkruar shpesh, por është më e vërtetë se kurrë. Kapiteni bardhezi ka realizuar një gol të mrekullueshëm në ndeshjen e sotme ndaj Breshias, duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës së Del Nerit.

Juventusi ka marrë një 3 pikësh tepër të vuajtur, që i mban gjallë shpresat për një vend në Europa League, pasi Champions mund të konsiderohet tashmë një mision i pamundur. Milosh Krasiç i dha avantazhin e përkohshëm Juventusit, me një goditje fluturimthi në zonë. Por, 3 minuta nga fundi i pjesës së parë, një Eder i “çmendur” arriti të barazonte gjithçka. Mjaftoi ky gol, që në stadium të riktheheshin fishkëllimat për trajnerin Xhixhi del Neri. Në pjesën e dytë, Juve u hodh e gjitha në sulm, por Breshia është mbrojtur mjaft mirë.

Momenti deciziv ka qenë minuta e 68-të. Del Piero e merr topin nga mesfusha, fiton metra, shmang disa kundërshtarë dhe e dërgon topin në cepin e portës së Arkarit. Një gol i mrekullueshëm, që i bën tifozët ta duartrokasin. Del Piero ka festuar jo normalisht, pasi për skuadrën bardhezi ka qenë një çlirim nga një makth.

(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›