E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi frikëson Milanin, vetëm 2 pikë larg kreut

ITALI- Ka mjaftuar një humbje e Milanit dhe tashmë beteja për titullin kampion në Serinë A është totalisht e hapur. Interi nuk ka gabuar sot përballë Leçes, duke marrë 3 pikët dhe duke shkuar -2 nga Milani. Një “luftë” e ndezur mes dy skuadrave të një qyteti, të cilat 13 ditë më pas do të zhvillojnë një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit.
Pas pushimit për ndeshjet e kombëtares, kampionati italian do të startojë menjëherë më derbin që do të vendosë shumë gjëra përsa i përket kampiones së ardhshme. Fitorja e Interit, e arritur me rezultatin minimal 1-0, ka treguar se zikaltërit janë plotësisht në valle për “skudeton”, të gatshëm për të përfituar nga çdo gabim i skuadrës së Alegrit. Ndeshja ndaj Leçes gjithsesi ka qenë më e vështirë sesa pritej. Në pjesën e parë, ekipi i Leonardos ka vuajtur shumë për të shkuar te goli, kjo edhe për shkak të një mbrojtje të ngjeshur të puljezëve. Por, në të dytën, mjaftuan 7 minuta që tifozët të qetësoheshin. Xhampaolo Pacini ka realizuar golin e vetëm të ndeshjes, pas një stopimi me gjoks dhe një goditje diagonale precize në cepin e portës. Një nga momentet negative të ndeshjes së djeshme ka qenë kartoni i verdhë i marrë nga braziliani Lusio, i cili do të humbasë derbin me Milanin më 2 prill. Tri pikët e djeshme gjithsesi kanë patur një peshë të rëndë për Interin, që pas një nisjeje tepër negative të sezonit, tashmë e sheh veten plotësisht në luftë për të fituar titullin, përveçse Kupën e Italisë dhe Champions League.
Morati e Leonardo
Fitorja e sotme e ka konfirmuar Interin si një skuadër pretendente edhe në kampionat, por ndeshja e radhës është derbi me Milanin, një sfidë që mund të rikthejë diferencën prej 5 pikësh në rast disfate. “Do të kërkojmë t’i bëjmë hapat me radhë, por mund të them se jam shumë i kënaqur për futbollistët, për Leonardo që është përshtatur mjaft mirë me klubin dhe ka sjellë atë që doja, një shpirt skuadre”, deklaroi presidenti Masimo Morati pas ndeshjes. I pyetur se çfarë ka më shumë frikë nga Milani, Morati u përgjigj: “Gjithçka, në veçanti eksperiencën e tyre. I druhem edhe faktit se tashmë jemi favoritë, pasi këtë ma thonë shumë njerëz. Por, unë mendoj se kjo nuk është e vërtetë”. Në derbi do të mungojë Ibrahimoviç. “E respektoj zgjedhjen e tij për të shkuar te Milani, - deklaroi Morati. – Ne në vend të tij morëm Eto, që është një kampion i jashtëzakonshëm. Ishim me fat në atë shkëmbim”. Ndërkohë, tekniku Leonardo ka pranuar se pas kësaj ndeshjeje, Interi është në rrugë të mbarë. “Të gjitha ndeshjet kanë rëndësinë e tyre, por sidoqoftë ndaj Milanit shkojmë në formën e duhur, - tha ai. – Me Leçen ishte një ndeshje shumë e vështirë, ata e bënë shumë mirë atë që kishin planifikuar”.

SERIA A
Lacio-Çezena 1-0
Palermo-Milan 1-0
Fiorentina-Roma 2-2
Bari-Kievo 1-2
Bolonja-Xhenoa 1-1
Inter-Leçe 1-0
Juventus-Breshia 2-1
Sampdoria-Parma 0-1
Udineze-Katania 2-0
Napoli-Kaljari
RENDITJA
Milan 62
Inter 60
Napoli 56
Udineze 56
Lacio 54
Roma 50
Juventus 45
Palermo 43
Fiorentina 41
Bolonja 40
Kaljari 39
Xhenoa 39
Kievo 35
Parma 32
Katania 32
Sampdoria 31
Çezena 29
Leçe 28
Breshia 26
Bari 17

(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›