E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Ponte hesh poshtë shpifjet e Sheshelit

Gjenevë, 30 gusht - Ish-prokurorja e Gjykatës Penale të Hagës për ish-Jugosllavinë, Karla del Ponte, i vlerëson “absurde” akuzat e ngritura ndaj saj nga krimineli serb i luftës, Vojisllav Sheshel.
“Unë personalisht nuk jam nën hetim. Janë hetuesit e mi ata që kanë marrë në pyetje dëshmitarët që janë objekt i hetimeve paraprake. Nëse do të dalin fakte të reja, atëherë do të të ketë dhe një hetim të veçantë”, është shprehur orët e vona të së djelës në një bashkëbisedim enkas për televizionin zviceran TSR, në emisionin “Mise ou Point”, që transmeton Tribune de geneve. “Por unë nuk besoj aspak”, shton ajo.
është hera e parë që gjykatësja, sot ambasadore e Zvicrës në Argjentinë, shprehet publikisht për këtë çështje. Gjykata Penale e Hagës ka hapur një hetim paraprak kundër ish-prokurores së saj, duke e akuzuar se ka ushtruar presion mbi dëshmitarët, duke i frikësuar ata. Prokuroria e ka akuzuar për “ dëshmi të rrejshme”.
Bëhet fjalë për “shpifje” apo për “taktika mbrojtëse’ nga kreu i ultranacionalistëve serbë, Vojisllav Sheshel - aktualisht i gjykuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit- thekson Karla del Ponte në intervistën e saj. Megjithatë ajo shprehet e gatshme “të jetë në dispozicion” të hetimeve.
Gjatë tetë viteve e katër muajve që ajo ka qenë në krye të Gjykatës Penale të Hagës, prokurorja nga kantoni i Tessin-it (Tiçinos) nuk ka dëgjuar kurrë nga një dëshmitar që ta ketë akuzuar për “kërcënim apo frikësim”. Ajo bën thirrje që të shtohet numëri i dëshmitarëve që të gëzojnë mbrojtje ligjore për dëshmitë e tyre. Ndaj akuzës se ajo ka vepruar me metoda të egra në Gjykatën e Hagës, ajo i përgjigjet me “absolutisht jo”.
Ish-prokurorja shpreh për më tepër “solidaritet të thellë’ për hetuesit me të cilët ka bashkëpunuar. “Këta juristë bëjnë një punë të rëndë”, nënvizon ajo. Në fund, ajo u pyet edhe për publikimin e pazakontë të çështjeve prej Gjykatës Penale të Hagës. “Kam mendimin tim, por nuk dua të shprehem për këtë çështje”, u përgjigj znj.Del Ponte.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›