Hague në Beograd, ndryshon rezolutën
Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, do të vizitojë të marten Beogradin. Ai do të takohet me zyrtarët më të lartë shtetërorë serbë dhe do të bisedojë mbi tekstin e rezolutës për Kosovën, të cilën Serbia ia ka paraqitur Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Shefi i diplomacisë britanike, shkon në Serbi disa ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwele, i cili në Beograd deklaroi se rezoluta mbi Kosovën duhet harmonizuar me qëndrimet e Bashkimit Evropian, dhe se para se gjithash duhet të bisedohet në Bruksel e jo në New York.
Pas takimit të ministrit gjerman, Beogradi zyrtar ka treguar gatishmëri për të zhvilluar konsultime rreth ndryshimeve të rezolutës, të cilën e ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Presidenti serb Boris Tadic ka deklaruar të shtunën se Serbia do të konsultohet me Brukselin e Uashingtonin mbi mundësinë kompromisit i cili, siç ka thënë, nuk duhet t'i rrezikojë interesat shtetërore e kombëtare të Serbisë, por edhe të mos e konfrontojë Beogradin me fuqitë perëndimore.