E Diel, 1 Nëntor 2026

Del me makinë nga rruga, humb jetën 30-vjeçari

Shpejtësia tej normave i ka marrë jetën një 30-vjeçari, i cili drejtonte një kamionçinë në rrugën Çermë-Divjakë. Burime nga policia thanë se 30-vjeçari gjeti vdekjen të shtunën në mbrëmje në një aksident automobilistik, ndërsa arriti të mbijetonte shoku me të cilin po udhëtonte në një makinë. Aksidenti ndodhi në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës në aksin rrugor Çermë-Divjakë. Sipas policisë, viktima është Agron Veliu, 30 vjeç, nga Delvina, i cili në momentin e aksidentit drejtonte kamionçinën. Nga shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën po drejtonte makinën 30-vjeçari, baba i dy fëmijëve, ka humbur kontrollin dhe makina ka dalë nga rruga, duke rënë në një kanal. Viktima ka marrë goditje vdekjeprurëse në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, të cilat i kanë sjellë vdekjen e menjëhershme. Ndërsa Adriatik Shuli, i cili udhëtonte në krahun e pasagjerit është plagosur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka nisur kërkimet për këtë të fundit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›