E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedh makinën 40 mijë euro, për të nxjerrë babanë nga burgu

Arsen Lypeni, 11-vjeçari nga Lapraka, vjedh makinën të paguajë për të nxjerrë babanë nga burgu. Makina kishte një vlerë prej 40 mijë eurosh, ndërkohë që u gjet e parkuar dhe e fshehur nga uniformat blu të policisë së kryeqytetit në Paskuqan. Autori i kësaj vjedhjeje është një 11-vjeçar, trupvogël, por që është kthyer një tmerr për policinë e kryeqytetit, por edhe për banorët e Tiranës. Markeljan Cungu etiketohet nga policia si një fëmijë që “të fik derën” po të hyri në shtëpi apo po të piketoi makinën. Pasi, ai nuk është specialist vetëm në vjedhje banesash, por edhe automjetesh, dyqanesh. Sipas burimeve zyrtare nga policia e kryeqytetit, shuma e vjedhur në këto vite nga Cungu kap vlerën e 1 milion eurove. Sipas burimeve zyrtare, dikujt mund t’i duket e madhe kjo shumë, por nuk është ashtu. Firmën e Markeljanit në vjedhje do e gjesh kudo, në çdo banesë të kryeqytetit, ku vlerat e deklaruara janë tepër të mëdha, nga 4-5 milionë e sipër. Ndërsa, makinat e vjedhura kanë një vlerë nga 1-5 milionë lekë të reja. Por, shtojnë burimet, ekziston edhe një tjetër fakt i rëndësishëm që e bën problematike çështjen. Asnjëherë gjatë shoqërimeve të 11-vjeçarit, policia nuk i ka gjetur para në xhep. Gjithmonë e ka justifikuar shpenzimin e tyre, por pa treguar asnjëherë në ç’vend i ka shpenzuar. Vetëm gjatë muajit të kaluar, vlera e objekteve të vjedhura prej tij konsiderohet mjaft e madhe. 11-vjeçari është autor i vjedhjes së makinës 40 mijë euroshe, 6 milionë lekëve të EUROMAX në QTU, një unaze me vlerë 2.5 mijë euro në banesën e një shtetasi, si dhe disa banesa në kryeqytet. Sipas shefit të komisariatit nr. 3 në kryeqytet, Marjan Lacaj, Markeljani është një shqetësim mjaft i madh për ta. Si zgjidhje për Markeljanin, por edhe të tjerë të mitur që janë të implikuar në vepra penale të ndryshme dhe që nuk kanë mbushur ende moshën për t’u futur në burg, duhen ringritur qendrat e riedukimit. “Këta fëmijë duhen futur në këto qendra dhe të dalin prej andej kur të kenë mbushur moshën 18 vjeç. Markeljani është mjaft i rrezikshëm, nuk ka të dytë si ai në vend. Vlera e objekteve të vjedhura prej tij gjatë këtyre viteve e kap pa frikë shifrën e 1 milion eurove. Dikush duhet të ndërmarrë hapa seriozë për neutralizimin e këtyre fëmijëve, duke i futur në qendra riedukimi”, - shprehet shefi i komisariatit Lacaj, të cilit më shumë se të gjithëve i bie ta ketë si barrë 11-vjeçarin. Lidhur me automjetin e vjedhur, shefi i komisariatit rrëfen për “standard” se “sapo u konstatua vjedhja, policia u vu në ndjekje të Cungut. Arriti t’i shpëtonte policisë dhe makinën e kishte parkuar në Paskuqan. Kur e kapëm dhe kërkuam ku e kishte lënë makinën, na tha që e kishte shitur për 100 mijë lekë. Nisëm kërkimet dhe e gjetëm. Na tha se makinën e kishte vjedhur që ta shiste për të nxjerrë babanë e tij, Petritin, nga burgu”. Babai i Markeljanit, Petrit Cungu është arrestuar nga policia e kryeqytetit një muaj më parë, pasi u akuzua si bashkëpunëtor në vjedhjen e kryer nga i biri. Cungu ka shkuar në një servis automjetesh të tërheqë një makinë që e kish vjedhur i biri, me pretendimin se këtë automjet e kishte blerë djali i tij dhe se kur kishte bërë vjedhje, ai e kishte denoncuar vetë atë.

Detaje

Këta fëmijë duhen futur në këto qendra dhe të dalin prej andej kur të kenë mbushur moshën 18 vjeç

Markeljani është mjaft i rrezikshëm, nuk ka të dytë si ai në vend

Vlera e objekteve të vjedhura prej tij gjatë këtyre viteve e kap pa frikë shifrën e 1 milion eurove

Markeljani tha se makinën e kishte vjedhur që ta shiste për të nxjerrë babanë e tij, Petritin, nga burgu

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›