E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURALIUS e OPDAT i drejtohen Kuvendit: Të hiqet imuniteti



EURALIUS dhe OPDAT i drejtohen Kuvendit me një letër, përmes së cilës sugjerojnë që të hiqet imuniteti për deputetët dhe zyrtarë të tjerë. Letra që mban firmën e shefit të Misionit EURALIUS, Roland Miklau dhe Melissa Schraibman, drejtuese e Misionit OPDAT, mban datën 30 tetor dhe i është drejtuar në mënyrë specifike deputetëve z. Ylli Bufi e z. Ilir Rusmali, të cilët janë caktuar nga Kuvendi për të përgatitur një draft me sugjerimet lidhur me këtë drejtim. Dy misioneve asistuese u është kërkuar mendim nga dy të ngarkuarit e Komisionit të Ligjeve, Rusmali e Bufi, që të japin sugjerimet e tyre lidhur me diskutimet që patën më 23 tetor lidhur me çështjen e heqjes së imunitetit. Referuar letrës së nisur nga dy misionet me përgjigjen për këtë çështje, e cila gjendet e publikuar edhe në web-site-t e tyre, pasi kanë parashtruar në letrën e tyre përse duhet hequr imuniteti, dy përfaqësuesit e misioneve asistuese kërkojnë që imuniteti i deputetëve apo dhe zyrtarëve të tjerë duhet hequr për të luftuar seriozisht korrupsionin, me qëllim që Shqipëria të vazhdojë rrugën përpara. “Është shumë e rëndësishme që kjo është bërë me maturi dhe brenda limiteve, me qëllim që edhe partitë të kenë kohë për të dhënë mendimin e tyre. Në momentin që ndryshimet kushtetuese janë diskutuar plotësisht, masat për mbrojtjen e ligjvënësve, gjyqtarëve dhe të tjerëve nga një abuzim i mundshëm dhe rritja e rezervimit të tyre me sistemin gjyqësor dhe në aktet e drejta, duhen konsideruar. Të dyja organizatat tona dëshirojnë të punojnë me Kuvendin dhe qeverinë për këto argumente mjaft të rëndësishme”, - shprehen në letrën e tyre dy drejtuesit e misioneve EURALIUS e OPDAT.

Pse duhet hequr imuniteti:

1. Imuniteti duhet limituar e qartësuar dhe çështja duhet trajtuar plotësisht me mirëkuptim të gjithë palëve. Një ose më shumë amendamente ose rregullime në këtë pikë nuk mjaftojnë. Ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme.

2. Ndryshimet kushtetuese nuk duhet ndërmarrë lehtësisht, por nuk duhen evituar nëse janë bërë me përkujdesje, me një sens të kontrolluar dhe të këshilluar nga një grup i gjerë personash dhe adaptë për këtë punë. Duhet të ketë një program të detajuar, që të ketë brenda edhe ndryshimin e nevojshëm të kodit dhe rregullave të Parlamentit.

3. Nuk duhet mohuar që ky është një moment delikat i historisë së Shqipërisë moderne, me tensionimet dhe mungesën e besimit midis institucioneve dhe më tepër edhe brenda vetë atyre. Mjaft persona menduan se ky nuk është momenti i duhur për t’u përballuar me heqjen e imunitetit, në mënyrë të veçantë drejtues të sistemit të drejtësisë, por mendojmë se një mendim i mirë jashtë do ta zhvillonte dhe pasuronte më mirë këtë proces. Masat e mbrojtjes së privatësisë, qofshin këto formale dhe joformale, mund të jenë zhvilluar dhe diskutuar për to si pjesë e këtij procesi.

4. Në limitimin e imunitetit është mjaft e rëndësishme për të gjitha teknikat investigative, përfshirë survejimin dhe kërkimin, të bëhen pa autorizim. Të bësh dallimin midis këtyre teknikave nuk e zgjidh problemin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›