E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi; Nis procedimi penal për dy punonjës të KESH-it

Nis procedimi penal në gjendje të lirë për dy punonjës të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare në Durrës, të cilët mësohet të kenë abuzuar me një familje në qytetin bregdetar, duke e ndëshkuar pa shkak dhe në mënyrë arbitrare e për më tepër pa kurrfarë dokumentacioni. Sipas burimeve zyrtare, Seksioni Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë Durrës bëri të ditur se Flamur Bakaj, 52 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 18. Durrës dhe Arben Manga, 47 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 1 Durrës, akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Procedimi penal në ngarkim të tyre filloi bazuar në kallëzimin penal të bërë nga një 40-vjeçar, banor i lagjes nr. 13 Durrës. Nga hetimi doli se dy punonjësit e KESH-it Durrës, në mënyrë arbitrare, pa plotësuar ndonjë dokument ku të pasqyronin veprimin e kryer, i kanë marrë 40-vjeçarit matësin elektrik të banesës, të cilin e kanë dërguar në Laboratorin e Njësisë Elektrike Durrës dhe e kanë penalizuar qytetarin me 2000 kilovat/orë energji elektrike, pa e njoftuar për arsyet e penalizimit. “Nga ana jonë pas marrjes së kallëzimit u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës iu kaluan për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës”, - bënë të ditur burime zyrtare pranë policisë së qytetit bregdetar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›