Petrit Liçi, dëshmitar edhe për grupin e dytë të “Bandës së Lushnjes”
Petrit Liçi, i penduari që hodhi dritë mbi krimet e kryera nga “Banda e Lushnjes”, do të paraqitet sërish në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kësaj radhe jo brenda kafazit, por si dëshmitar dhe i penduar njëkohësisht. Fakti konfirmohet nga burime të besueshme pranë organit të akuzës, të cilët bëjnë të ditur se Liçi këtë herë do të vijë të dëshmojë për pjesën tjetër të “Bandës së Lushnjes”, episode për të cilat ka qenë i pranishëm apo ka dijeni se kush kanë qenë autorët. Gjithashtu, dëshmia e Liçit do të merret edhe për një tjetër proces gjyqësor, aty ky janë duke u gjykuar dy krerët e bandës, ndonëse në mungesë, Aldo Bare e Enver Dondollaku. Dëshmia e Liçit konsiderohet e një rëndësie të veçantë, pasi, sipas burimeve, ai pritet të hedhë dritë mbi disa nga veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit. Ndërkohë që për shumë kohë ky person ka ndenjur me personin që e rekrutoi, Erion Cicin, i cili ishte mjaft afër kapos së bandës, Alfred Shkurtit. Megjithatë, as gjykata dhe as prokurorët nuk kanë caktuar një ditë kur i penduari do të paraqitet, përveçse është përfshirë në listën e madhe të dëshmitarëve që kërkoi akuza, për të provuar fajësinë e të pandehurve. Dëshmia e Petrit Liçit përcaktoi në një farë mënyrë edhe dënimin apo deklarimin fajtorë të të pandehurve të pjesës së parë të bandës, ata që u përcaktuan nga prokurorët e çështjes të rolit bazë, pra ekzekutorët. Të pandehur në procesin e dytë që po zhvillohet janë Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Ciçi, Arjan Aliçaj, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina. Këta persona, të akuzuar si pjesë e “Bandës së Lushnjes”, akuzohen për disa vepra penale, ndër to edhe vrasje të ndodhura disa vite më parë në Lushnje. Ky grup është përcaktuar nga përfaqësuesit e akuzës, roli i dytë në funksion, përkatësisht njerëzit që rrinin më pranë kapos dhe që përcillnin urdhrat për ekzekutim tek ekzekutorët. Në proces gjykimi në këtë gjykatë është edhe Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare dhe Enver Dondollaku, i njohur si krahu i djathtë i tij, të cilët po procedohen në mungesë. Këta janë kryesorët e “Bandës së Lushnjes”, nga ku buronin planet për atentate e vrasje të ndryshme. Bare ndodhet i arrestuar në Turqi, ndërsa Dondollaku në Itali.