E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del në “shitje” Rruga e Kombit

Në mbledhjen e sotme, qeveria vendosi të shpallë vendimin për “përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe operimit të autostradës Milot-Morinë”.

Autoriteti kontraktues propozohet të jetë ministria e Punëve Publike dhe Transportit, e cila ka bërë shqyrtimin dhe vlerësimin e projektit të propozuar për koncesion mbi bazën e analizës së rentabilitetit, fizibilitetit dhe të përshtatshmërisë financiare. Ky vendim do të bëjë të mundur fillimin e procedurave për dhënien me koncesion të këtij projekti.

Në fakt, kishte kohë që përflitej që autostrada të jepej me koncesion, e cila ishte e papërballueshme për qeverinë. Por dhënia me koncesion, nga ana tjetër do të thotë se të gjithë udhëtarët do të duhet të paguajnë për të kaluar në këtë rrugë. Vendimi pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Qeveria ka bashkëpunuar me IFC-në për të kryer studimin për rrugën Durrës-Kukës, projekti i parë pilot për këtë mënyrë operimi. Në muajin tetor, qeverisë iu dorëzua ky studim nga IFC-ja dhe kjo e fundit tashmë duhet të bëjë edhe propozimet dhe llogaritjet e veta lidhur me tenderin që do të zhvillojë për kompanitë e interesuara. Fillimisht, praktika e koncesionit do të jetë vetëm për Rrugën e Kombit, më pas me të tjerat. Në një vit mirëmbajtja e rrjetit parësor të rrugëve i kushton qeverisë miliona dollarë./Start/

                                                                                             2011-12-14 13:50
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›