Del nga shinat një vagon i trenit Pogradec-Tiranë
Treni i dytë i linjës së udhëtarëve Pogradec-Tiranë ka dalë pasditen e djeshme nga shinat, por fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme në njerëz. Shefi i shtabit të emergjencave pranë Prefekturës së Elbasanit, Mustafa Arapi, pohon se “incidenti hekurudhor u regjistrua në orët e pasdites, në linjën hekurudhore midis qyteteve të Përrenjasit e Librazhdit, në afërsi të fshatit Hotolisht, 10 kilometra larg stacionit hekurudhor të Librazhdit. Një nga vagonët e trenit të pasagjerëve doli nga shinat dhe ishte manovrimi në kohë i makinistit, që shmangi çdo lloj rreziku për jetën e udhëtarëve”. Ndërsa pasagjerët që zbritën me shpejtësi, nuk pësuan asnjë lëndim. Drejtuesit e shërbimit të transportit hekurudhor, në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor dhe policisë lokale, mundën të garantojnë transportin me mjete të tjera të pasagjerëve të trenit, i cili me pas ka lëvizur i boshatisur.
#