E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton të trembë hajdutët e pulave, plagos veten me automatik

Armët Në Fushë-Krujë, një grua u plagos nga një plumb qorr në oborrin e shtëpisë

Qëllon për të trembur hajdutët, vetëplagoset nga pakujdesia. Stina e nxehtë e verës ka shtuar ndjeshëm numrin e vjedhjeve në Qarkun e Durrësit, por edhe të të shtënave për t’i dalë zot pronës. Një 41-vjeçar nga fshati Arameras i Krujës ka mbetur i plagosur në këmbë, ndërsa ka tentuar të qëllojë mbi dy persona që i kishin hyrë në oborrin e shtëpisë dhe po tentonin t’i vidhnin pulat. Policia e ka marrë informacionin për mbërritjen e një shtetasi të plagosur nga autoritetet e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Nga hetimet rezultoi se G.H. ka dëgjuar zhurmë tek vendi ku mbante shpendët shtëpiakë dhe kur ka dalë jashtë, ka parë dy persona të cilët po tentonin t’i vidhnin ato. Ai ka qëlluar në ajër me një automatik, të cilin e mbante pa leje për të trembur dy personat dhe si rezultat i një rikoshete të mundshme, është plagosur në këmbën e majtë. Aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, po policia ka nisur procedimin penal të tij për prishje të rendit e qetësisë publike dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa po punohet për gjetjen e armës së zjarrit dhe identifikimin e autorëve të vjedhjes.
Ndërkohë, mësohet se në Spitalin Ushtarak ka përfunduar e plagosur edhe një 63-vjeçare nga Fushë-Kruja. Ajo ka qenë ulur në oborrin e shtëpisë së saj me disa fqinje, duke shijuar çaste pushimi dhe bashkëbisedimi, kur është goditur në këmbë nga një plumb qorr, që nuk dihet nga ka ardhur. Policia deklaroi se nisi hetimet për plagosje të lehtë nga pakujdesia, ndërkohë që autori është ende anonim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›