Apeli, 40 ditë arrest shtëpie për italianin e kërkuar nga Belgjika
Gjykata e Apelit e Tiranës vendosi ta linte në arrest shtëpie për 40 ditë italianin Italo Gigante, i akuzuar për riciklim parash, korrupsion dhe mashtrim me fondet e Bashkimit Europian për ndërtesën e Delegacionit Europian në Tiranë. Kjo është një masë e butë sigurie krahasuar me atë që kishte dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, e cila e dërgoi në qeli për një afat prej 30 ditësh. Avokati mbrojtës kërkoi në seancë gjyqësore lirimin me pretendimin se klienti i tij ishte gjykuar një herë për këtë çështje në Itali, duke vënë në shkëmbim të lirisë edhe garanci pasurore. Ndërsa nuk ishte i këtij mendimi përfaqësuesi i Akuzës, i cili kërkoi shtimin e masës së sigurisë me 60 ditë burg. Pasi kanë dëgjuar palët, togat e zeza dhanë 40 ditë arrest në shtëpi për italianin, duke iu dhënë mundësi autoriteteve belge që të sjellin brenda këtij afati dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e shtetasit italian. Do të jetë përsëri gjykata ajo që do të vendosë për ekstradimin ose jo të Gigantes drejt Brukselit. Biznesmeni 57-vjeçar akuzohet për korrupsion, falsifikim dhe përdorim të dokumenteve të vjedhura dhe riciklim të fondeve që vijnë nga aktivitetet kriminale. Historia nisi në mars të vitit 2007, kohë kur Italo Gigante u arrestua në Belgjikë se bashku me tre zyrtarë italianë të Komisionit Europian, nën akuzën e përfshirjes në një skemë më të gjerë korrupsioni që kishte lidhje me rindërtimin dhe marrjen me qira të ndërtesave që do të ktheheshin në seli të delegacioneve të KE-së në Tiranë si dhe Nju Delhi të Indisë. Ndryshe nga tre italianët e arrestuar, Italo Gigante qëndroi në liri për shumë kohë e madje në maj të vitit 2007, ai kandidoi për zgjedhjet lokale në Rioti të Italisë. Më 14 korrik ai hyri në Shqipëri nga Aeroporti i Rinasit, por u arrestua nga Interpol Tirana për llogari të drejtësisë belge.
#