Droga e Leçes, kapen tre trafikantë të tjerë shqiptarë
Komanda Ushtarake e Guardia di Finanza të Leçes ka identifikuar si anëtarë të organizatës kriminale edhe tre shqiptarë të tjerë, të cilët u arrestuan në rrugën Leçes-Brindizit teksa udhëtonin drejt Italisë Veriore. Ata mendohet të kenë kaluar natën në një fshat pranë vendit ku shkarkuan drogën. Pas hetimeve që pasuan kapjen e 572 kilogramëve marijuanë në bregdetin e Salento, komanda ushtarake e Guardia di Finanza në Leçe, arrestoi tre anëtarë të dyshuar të “organizatës kriminale”, që kishte arritur të sillte marijuanë nga Shqipëria. Pas një ndjekjeje të gjatë patrullat e shumta i vunë në pranga dhe i dërguan në burg të tre shqiptarët, që posedonin edhe armë.
Më 27 korrik 2010, policia italiane arrestoi trafikantin shqiptar, Elton Kovaçi, 30 vjeç nga Vlora, dhe po hetonte për zbulimin e bashkëpunëtorëve të këtij rrjeti trafiku droge. Ka qenë ora rreth 04.30, kur policia italiane ka nisur operacionin për kapjen e një gomoneje të nisur nga brigjet shqiptare me destinacion plazhin e Gesinës në Leçe, i preferuar ky për zbarkimin e trafikantëve. Sinjali duket se ka ardhur nga roja bregdetare shqiptare, e cila e ka parë gomonen në mezokanal dhe ka informuar më pas palën italiane, e cila me mjetet e Guardia di Finanza dhe grupin special të operacioneve antidrogë ka bllokuar lëndën narkotike teksa po shkarkohej në brigjet italiane. Ngarkesa prej rreth 572 kg marijuanë u identifikua lehtë në bordin e gomones, nëpërmjet radarit të lëvizshëm të policisë ushtarake. Policia priti që gomonia të afrohej pranë bregut dhe në momentin kur mjeti lundrues ndaloi dhe personi që ndodhej në bord filloi shkarkimin e drogës, e cila ishte vendosur në qese e në 19 çanta, ajo ndërhyri. “Kushtet e motit nuk ishin të mira, tha pas operacionit në një konferencë për shtyp komandanti i Guardia di Finanza, Vito Pulieri, por në sajë të një bashkëpunimi efektiv me forcat tokësore, detare dhe aviacionin, ne mundëm të bllokojmë aktivitetin kriminal dhe të kapim të gjithë sasinë e marijuanës”. Sipas tij, ngarkesa iu siguronte organizatave më kriminale në Itali dhe jashtë saj vazhdimësinë e aktivitetit.
Falë këtij operacioni është vënë në pranga 30-vjeçari me origjinë shqiptare, Elton Kovaçi, që tentoi t’u vidhej forcave policore duke u fshehur pas një grumbulli shkurresh, por forcat e armatosura e detyruan të dorëzohej pa bërë kurrfarë rezistence. I riu, që nuk kishte leje qëndrimi në Itali, njihej nga policia e vendit fqinj për disa precedentë të tjerë penalë. Vlera e sasisë së drogës së kapur shkonte në rreth 300 mijë euro, ndërsa në rastin e shitjes me pakicë për përdorim personal mund të arrinte në gati një milion euro.
#