Berisha, ministrave: Brenda gushtit sillni bilancin vjetor të qeverisë
Ministrat e kabinetit “Berisha” do të përgatisin brenda muajit gusht bilancin vjetor të punës së dikastereve të tyre. Kryeministri Berisha ka urdhëruar të gjithë ministrat pa asnjë përjashtim të qëndrojnë në krye të detyrës edhe gjatë muajve të verës. Gjatë kësaj periudhe, të 15 anëtarët e kabinetit Berisha do të bëjnë publik nëpërmjet konferencave për shtyp punën afro njëvjeçare të dikasterit që drejtojnë. Kjo nismë e fundit nis të qarkullojë në korridoret e ministrive ku në të njëjtën kohë janë përhapur edhe sinjalet e para për ndryshime të qeverisë në shtator. Duket se në bazë të kësaj analize, Kryeministri Berisha do të vendosë edhe për fatin e ardhshëm të qeverisë që ai drejton. Kryeministri u ka kërkuar gjatë kësaj jave të mos largohen për pushime të gjata, për të qenë prezent në zyra për përgatitjen e bilancit vjetor. Të njëjtën taktikë shefi i qeverisë ka ndjekur edhe në vitet e mëparshme, ku më pas ka vendosur mbi emrat që duhet të qëndrojnë dhe ata që duhet të largohen nga kabineti. Thënia e një dite më parë e politikanit të vjetër Sabri Godo, se i zoti i shtëpisë e di ku i pikon çatia dhe cilët ministra kanë punuar dhe cilët kanë lënë shumë çështje mangët, ka shumë gjasa të interferojë në vendimmarrjen e shefit të ekzekutivit.
Mbledhjet e qeverisë
Të gjithë ministrat do të jenë të detyruar të bëjnë pushime ditore për të qenë prezent çdo javë në mbledhjet e qeverisë. Administrata ka urdhër të prerë që të funksionojë me kohë të plotë. Pushimet e kësaj vere do të jenë të vështira për ministrat që duhet të kënaqen vetëm pranë bregdetit shqiptar.
Secili ministër do të shkojë me dosjen e plotë të punës njëvjeçare dhe me objektivat e punës në ditët në vazhdim.
Plani kryesor i bilancit qeveritar vjetor është rritja ekonomike, e cila, edhe pse vendet e rajonit janë në një krizë të thellë ekonomike, vendi ynë ende nuk është përfshirë totalisht. Sukses ky koalicion ka pasur edhe në proceset integruese, ajo që është më e rëndësishmja, heqja e vizave, do të bëhet realitet në fund të këtij viti, duke krijuar mundësinë që shqiptarët të ikin pa barriera në zonën e vendeve “Shengen”. 365 ditë nga krijimi i qeverisë së integrimit europian do të kenë edhe një bilanc të dyfishtë. Sa të kënaqur janë demokratët nga koalicioni qeveritar me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Gjatë kësaj kohe, koalicioni qeverisës ka një bilanc që mund të shihet në shumë plane. Për këtë vit qeveria ka dorëzuar Pyetësorin në KE, duke e plotësuar në një kohë rekord. Por politika e brendshme duket se është “thembra e Akilit” për spektrin politik në vend. Nga ana tjetër, Kuvendi përgjatë një viti ka qenë i gjysmuar, duke miratuar ligje, të cilat nuk kërkojnë shumicë të cilësuar.
#