E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërndahen fëmijët e çiftit Muslika

Foshnjën njëmuajshe e gjysmë po e mban një kushëri. Gjyshërit mbajnë dy të tjerët

Një ditë pas krimit të dyfishtë brenda familjes Muslika, në fshatin e vogël dhe të thellë Branogë të Hasit ka pllakosur zia. 33-vjeçari Gëzim Muslika, me vrasjen e gruas dhe vetëvrasjen e tij mëngjesin e së mërkurës, la pas tre fëmijë të mitur, si dhe shumë dhimbje për dy prindërit e moshuar dhe vëllain e vetëm, Emërliut.

Edhe një ditë pas ngjarjes, të afërm të Muslikës si dhe policia pohojnë gjendjen depresive të autorit 33-vjeçar të krimit, babait të tre fëmijëve. Varrimi i çiftit Muslika është kryer pasditen e së mërkurës, ku si rrallëherë morën pjesë mijëra njerëz nga i gjithë Hasi dhe më gjerë, duke u kthyer në një manifestim të dhimbjes së thellë.

Kushërinj të familjes Muslika thanë se e gjithë zona kishte ngushëlluar pleqtë, mbi të cilët tani rëndonte pesha e familjes së mbetur, e tre fëmijëve të mitur. “Ka lënë fëmijët e vegjël në mëshirë të fatit, për këta fëmijë na dhemb shpirti”, tregon një kushëri i Muslikës, rreth 50 vjeç, duke shtuar se ndaj tyre po tregohet kujdes i veçantë pas traumës që kanë pësuar, duke parë nënën të mbuluar nga gjaku dhe më pas babanë me pistoletë në dorë. Nëna e fëmijëve ishte gati lehonë, tregojnë banorët e lagjes. “Fëmija më i vogël i çiftit të vdekur është vajza vetëm njëmuajshe e gjysmë, imagjinoni vetë se si mund të rritet ajo”, tregon një i afërt i familjes, duke shtuar se fëmija më i madh ishte djali që ka mbaruar klasën e katërt, ndërsa vajza tjetër ka mbaruar klasën e parë.

Ai tha se foshnjën e vogël po e mbante për momentin një grua e kushërinjve, që edhe vetë ka një fëmijë disamuajshe dhe po e ushqente me qumësht gjiri për ta mbajtur gjallë. Gjendja depresive e autorit të ngjarjes së rëndë komentohet edhe në mesin e banorëve, të cilët tregojnë se kohët e fundit, Gëzimi kishte nisur të pinte, ndoshta nga gjendja e rëndë ekonomike dhe papunësia.
Atij i ka ardhur në ndihmë për shumë kohë vëllai i vogël, Emërliu, i cili ka qenë emigrant në Greqi dhe ka udhëtuar në fshat vetëm pasi ka dëgjuar për tragjedinë e ndodhur. Emërliu 27-vjeçar, i fejuar, ka punuar prej një kohe të gjatë në Greqi dhe siç tregojnë të afërmit, ai dërgonte herë pas here të holla për prindërit, por edhe për vëllain e madh.

Autoritet e Komunës Fajza, duke pohuar gjendjen e vështirë ekonomike të familjes Muslika, thanë se nuk besonin që kjo gjë të kishte qenë shkaku kryesor i ngjarjes. Kryetari i komunës, Jakup Sefolli, thotë se në komunë ka dhjetëra e ndoshta qindra familje edhe më të varfra se Muslika, por gjithçka duhet të jetë kryer edhe nën efektin e alkoolit.

I pyetur për të ardhmen e fëmijëve, Sefolli tha se ishte shumë herët për të menduar për këtë dhe se gjithçka mund të diskutohej pas kryerjes së mortit. “Tani për tani jemi të përfshirë nga dhimbja dhe askush nuk e ka diskutuar si do të bëhet për fëmijët”, tha ai, duke shtuar se komuna kishte dhënë për familjen Muslika çdo ndihmë të mundshme për t’i lehtësuar dhimbjen nga ngjarja e rëndë. Nga ana tjetër, të afërmit, duke iu referuar deklarimeve të pleqve Muslika, thonë se fëmijët e vegjël do të rriten në gjirin e tyre. “Janë pleq të lodhur disi, por mendoj se fëmijët nuk dalin nga shtëpia”, tha një i afërm i familjes, duke shtuar se tashmë, gjyshi i fëmijëve, Sadiku, rreth 70 vjeç, së bashku me bashkëshorten e tij, janë kujdestarët e mundshëm të nipërve të mbetur jetimë nga dora e babait të tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›