Del nga shinat treni i linjes Tirane-Shkoder
Treni i udhëtarëve të linjës Tiranë- Shkodër ka dalë nga shinat sapo ka lënë stacionin e Lezhës, por fatmirësisht pa u shënuar ndonjë i lënduar. Vagoni i fundit ka dalë jashtë binarëve në hyrje të tunelit, ndërkohë që treni po pergatitej për të marre shpejtësi. Ky moment ka ndihmuar mashinistin për të frenuar shpejt duke mbajtur në hekurudhë pjesën tjetër të vagonëve ku kishte edhe pasagjerë. Ekspertë të drejtorisë së hekurudhave po analizojnë shkaqet e këtij aksidenti hekurudhor, ndërsa nga hetimet e para bëhet e ditur se një defekt në karretën e fundit është bërë shkak për devijimin jashtë shinave të vagonit. Pas 30 minutash pauze, treni i linjës ka nisur sërish rrugën drejt Shkodrës duke lënë në Lezhë vagonin e fundit. Burime nga Drejtoria e Hekurudhave kanë bërë të ditur se po punohet për të vënë në hekurudhë vagonin e dalë nga shinat dhe se linja do të jetë e hapur sërish duke filluar që nga dita e nesërme.