Del para gjykatës në Shkodër djali që vrau nënën
Ylber Tahiri, 20-vjeçari që pak ditë më parë u arrestua si autor i vrasjes së nënës së tij dhe fshehjes së krimit për më shumë se një muaj, ka dalë dje përpara togave të zeza në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër. Gjatë seancës gjyqësore që ka pasur për qëllim vlerësimin e masës së arrestit ndaj Tahirit, avokati mbrojtës ka kërkuar që klienti i tij, i cili ndodhet në kushtet e tronditjes së thellë psikike, të hetohet në masën e "arrest në shtëpi", pasi nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore. Mbrojtja ka pretenduar se krimi ka ndodhur nga pakujdesia, ndërsa pastronte armën. Ndërkohë që prokurori i çështjes ka kërkuar që i riu të mbahet në arrest me burg deri në përfundim të hetimeve. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Hasan Selimi, pasi ka dëgjuar të dyja palët, ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për Tahirin. Ylber Tahiri, nga fshati Vallas i Komunës Anë e Malit në Shkodër, është arrestuar të dielën e kaluar, pasi akuzohet se ka qëlluar për vdekje me armë zjarri nënën e tij, Lumnije Tahiri, në shtëpinë e tyre. Pas ngjarjes, familjarët kanë heshtur dhe krimi ishte mbajtur i fshehur nga autori dhe familjarët e tjerë, duke e varrosur nënën pa i treguar njeriu për shkakun e vërtetë të vdekjes. Të afërmve u është thënë se gruaja kishte pasur një vdekje natyrale.