E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Gjermani durrsaku i dyshuar për dy plagosje

Ekstradohet nga Gjermania 26-vjeçari Denis Shtraza. I riu nga Durrësi akuzohet për një sërë veprash penale dhe ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare që nga korriku i vitit të kaluar. Mësohet se Shtraza, në bashkëpunim me një shokun e tij, në maj të vitit 2008 ka plagosur me dashje shtetasin Llazar Zoto në një nga lagjet në qendër të Durrësit. Ndërkohë, disa muaj më pas, e pikërisht më 20 gusht të vitit të kaluar, Shtraza përfshihet në një tjetër krim. Rreth orës 03.45, në ambientet e disko "Kolombo" në plazh, qëllon me pistoletë mbi Hektor Kollçakun, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Ndaj tij Prokuroria e Durrësit ka regjistruar dy procedime të ndryshme penale gjatë vitit 2008. Në fillim të dhjetorit të kaluar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës kishte dhënë masën e sigurisë "arrest me burg", për veprat penale të "plagosjes së rëndë me dashje" kryer në bashkëpunim, "vrasje me dashje e mbetur në tentative" dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake". Shërbimet e sektorit të operacioneve speciale dhe kërkimit në Policinë e Qarkut të Durrësit, pasi kanë siguruar të dhënat mbi vendndodhjen e mundshme të tij dhe në bashkëpunim me Zyrën Qendrore të Interpol Tiranës arritën të organizonin kapjen në Gjermani të Shtrazës dhe kthimin e tij në Shqipëri nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›