Korçë. katër aksidente, dy të vdekur
Katër aksidente rrugore janë shënuar 24 orët e fundit në juglindje të vendit. Burime nga policia bëjnë të ditur se dy persona kanë gjetur vdekjen, ndërkohë që tre të tjerë, mes të cilëve një fëmijë 6-vjeçar, kanë mbetur të plagosur. Kështu, rreth orës 22.10, në aksin nacional Korçë-Pogradec, pranë fshatit Çiflig është aksidentuar për vdekje Kujtim Salku nga Tirana, i cili është përplasur nga një taksi. Ndërkohë, viktima tjetër mësohet të jetë 47-vjeçari Behar Tare, i cili është përplasur për vdekje në orën 20.45 në vendin e quajtur kthesa e fshatit Luaras-Ersekë. Në një aksident është plagosur dje edhe një fëmijë 6 vjeç nga Sovjani.