E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro ulet nën 130 lekë, humbet 1.6 për qind

Leku shqiptar njohu një forcim të ngadaltë, por të pandërprerë gjatë tre javëve të fundit, duke fituar 1.6 për qind kundrejt ditës së saj më të keqe të shënuar më 26 mars, bëhet e ditur nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Euro u tregtua dje për 129.77 lekë, 12 qindarka më lirë sesa ditën e martë. Për herë të parë në më shumë se gjashtë javë, euro u tregtua nën kuotën psikologjike prej 130 lekësh.

Forcimi gradual disajavor i lekut shikohet nga ekspertët si një fenomen që nuk interpretohet dot me kërkesë-ofertën.

Leku shqiptar u forcua gradualisht që nga viti 2000 deri në vitin 2008, kryesisht përmes politikës së shtrënguar monetare dhe rritjes së shpejtë të të ardhurave në valutë nga emigrimi e turizmi. Por, në muajin shkurt të këtij viti, leku u dobësua me shpejtësi dhe humbi rreth 7 për qind të vlerës së vet kundrejt euros në më pak se një muaj. Dobësimi i lekut gjatë shkurtit iu dedikua largimit të valutës në formën e transferimit të fitimit nga disa korporata, si dhe deficitit të lartë të llogarisë korrente shkaktuar nga shpenzimet e fryra buxhetore. Ka shumë ekspertë që dyshojnë se dobësimi i shpejtë i lekut në shkurt, si dhe forcimi gradual gjatë javëve të fundit, po ndihmohet nga forca spekulative në treg. Edhe Banka e Shqipërisë njoftoi pak ditë më parë, se në treg mund të ketë forca spekulative. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët kanë shpenzime mujore në euro, ku përfshihen kredimarrësit, kanë paguar gjatë muajve të fundit dobësimin e lekut.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›