Del për gjah, gjendet i mbytur në rezervuar 49-vjeçari
Devoll- Doli nga shtëpia për gjah, gjendet i mbytur në rezervuar 49-vjeçari. Një banor i qytetit të vogël të Bilishtit është gjetur i vdekur në rezervuarin e këtij qyteti nga dy persona të rastit. Trupi i pajete i Avni Nastimit nga Bilishti u gjet në orët e vona të natës së kaluar nga dy peshkatarë të zonës. Peshkatarët bënë me dije se trupi i pajetë i Nastimit në momentin e gjetjes nuk kishte shenja dhune, por ishte vetëm i zhveshur. Nga hetimet paraprake të ngjarjes që ka ngritur shumë pikëpyetje për grupin hetimor, janë zbuluar dhe rrethana të reja të saj, që kanë çuar ekspertët në një konkluzion paraprak. 49-vjeçari Avni Nastimi i gjetur i mbytur në rezervuar në orët e vona të mbrëmjes të kaluar, mësohet të ketë dalë nga shtëpia e tij rreth orës 14.30 të një dite më parë, bëjnë të ditura burimet zyrtare të policisë lokale. Arsyeja që ka lënë shtëpinë ka qenë gjahu. Burri i apasionuar pas gjahut ka marrë çiften e tij dhe ka shkuar pranë rezervuarit të qytetit. Mësohet se viktima ka vrarë një thëllëzë e cila ka rënë në ujë. Në këto kushte ai është detyruar të hyjë në rezervuar për të marrë gjahun e tij. Por kjo nuk ka ndodhur, pasi 49-vjeçari është mbytur porsa ka hyrë në rezervuar. Nga hetimet paraprake, por dhe këqyrja e kufomës nga mjekët ligjorë, mendohet që kontakti me ujin e ftohtë t’i ketë shkaktuar një atak kardiak që i ka marrë jetën dhe më pas Nastimi është mbytur. Mungesa e banorëve në këtë pjesë të qytetit nuk ka mundur të shmangë tragjedinë, ndërsa trupi i tij është gjetur vetëm disa çaste pas vdekjes tragjike. Në breg viktima kishte lënë armën e gjahut si dhe rrobat e tij. Të njëjtat burime të policisë së Devollit kanë bërë të ditura për gazetën se hetimet për këtë vdekje tragjike vazhdojnë. Policia po heton për vdekje aksidentale nisur nga rrethanat e saj, teksa mbi trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune.