Vjedhjet e kishave, mungojnë inventarët në objektet e kultit
Gjirokastër- Pas ndalimit përpara disa ditësh të një të riu të dyshuar për grabitjen e disa kishave në zonën e Gjirokastrës, policia lokale vazhdon punën për zbardhjen e plotë të këtyre ngjarjeve. Por, sipas ekspertëve antikrim, një vështirësi për çështjet hetimore të kësaj natyre vazhdon të jetë mungesa e inventarit të materialeve në kisha të ndryshme në zonën e Gjirokastrës. 36-vjeçari Bujar Kalemi u ndalua përpara disa ditësh pasi dyshohet se ka grabitur me thyerje 8 kisha në zonën e Gjirokastrës, duke vjedhur ikona, shuma monetare të dhëna nga besimtarët etj. Sipas policisë lokale, prej fillimit të këtij viti janë zbardhur 14 raste të vjedhjes së kishave në Gjirokastër. “Por gjatë hetimeve ne kemi ndeshur në mungesën e një inventari të saktë të materialeve që kanë këto kisha kryesisht në mjediset e brendshme”, thonë ekspertët e policisë lokale. Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër vazhdon të garantojë komunitetin se sigurimi i jetës dhe i pronës së qytetarëve, i pronës së çdo subjekti privat apo shtetëror, si dhe i të gjitha kulteve fetare është një ndër detyrat kryesore të punonjësve të policisë. B.SH.