E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del për peshk, mbytet 27-vjeçari epileptik

Një 27-vjeçar nga qyteti i Memaliaj, i cili ishte zhdukur para tri ditësh është gjetur dje në mesditë i mbytur në ujërat e lumit Vjosë. Kreshnik Saliu, banor i qytetit të Memaliajt, tri ditë më parë kishte dalë për të gjuajtur peshk, por nga mbrëmja e asaj dite ai nuk ishte kthyer në shtëpi, kështu që familjarët e shqetësuar kanë kërkuar ndihmën e policisë. Në këto rrethana policia e shpalli person në kërkim dhe gjatë tri ditëve janë kryer kërkime në të dyja anët e lumit Vjosë. Të premten janë përfshirë në kërkime edhe zhytësit e forcave speciale nga Tirana, por kërkimet në rrjedhën e lumit të Vjosës nuk kanë dhënë rezultat. Vetëm dje në mesditë rreth orës 13:30, është gjetur trupi pa jetë i 27-vjeçarit, në vendin e quajtur Agjencia e Luftinjës, rreth 8 kilometra në veri të qytetit të Memaliajt. Mësohet se i riu prej disa vitesh vuante nga një epilepsi kronike e ashtuquajtur "sëmundja e tokës", dhe dalja e tij për të gjuajtur peshk në lumë ka rezultuar fatale, duke shkaktuar mbytjen dhe humbjen e jetës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›