E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delegacioni i KE diskuton 2 orë me Ramën

Autori i Lajmit: Redaksia

Takimet e politikës shqiptare me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë tejkaluar parashikimet e axhendës së përcaktuar. Ashtu si me Kryeministrin Sali Berisha dhe takimi me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama ka zgjatur për rreth 1 orë e 45 minuta nga një orë që ishte parashikuar. Delegacioni i KE-së hyri në selinë e PS-së në orën 15:15 dhe u largua që andej vetëm në orën 17:00 për tu drejtuar për në presidencë ku ishte përcaktuar takimi i dytë me Presidentin Bamir Topi. Në takim përveç komisionerëve të KE-së merrnin pjesë dhe deputetët socialistë, Arta Dade, Taulant Balla, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Blendi Klosi dhe Ditmir Bushati. Asnjëra prej palëve nuk bëri një deklaratë zyrtare për takimin. Por burimet nga PS pohuan se delegacioni i lartë i KE-së i përbërë nga 10 komisionerë të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlüt Çavusoglu ka dëgjuar kërkesat e socialistëve në opozitë. Një nga kërkesat kryesore të tyre të cilën e kanë ritheksuar është ajo e transparencës së plotë të zgjedhjeve të 2009, deri në hapjen e kutive të votimit. Rama në deklaratat e ditëve të fundit ka theksuar fort faktin se kërkesa e tyre nuk shkel ligjin dhe Kushtetutën sepse nuk kërkon ndryshim të rezultatit në tavolinë por vetëm evidentimin e të gjitha problemeve si dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve në mënyrën që zgjedhjet e ardhshme mos kenë të njëjtat probleme. Selia rozë ka ritheksuar se për këtë kërkesë ka marrë mbështetjen e plotë të grupit socialit por dhe demokrat të Parlamentit Evropian. Ndërkohë që në takimin e djeshëm delegacioni i KE-së nuk ka shprehur asnjë qëndrim përveç ftesës që kreu i PS-së, Rama të ishte prezent në takimin e orës 17:00 në Presidencë.

Ky lajm është publikuar: 23/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›