Ministrat e Jashtëm të BE-së: “Kriza vonon liberalizimin e vizave për shqiptarët”
Kriza politike në Shqipëri është kthyer tashmë në një debat ndërkombëtar, pasi ka qenë në qendër të diskutimeve në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ministrat theksuan gjatë fjalës së tyre se politikanët shqiptarë duhet t’i japin menjëherë fund kësaj krize, pasi ajo ndikon negativisht në dy pritshmëri të vendit në lidhje me BE-në. Së pari ndikon në vlerësimin që do të bëjë Komisioni Europian përsa i përket aplikimit që ka bërë Shqipëria për të përfituar statusin e vendit kandidat në BE. Dhe së dyti, sipas tyre, ndikon negativisht në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, duke sjellë vonesa në këtë drejtim.
Kriza
Ministrat e Jashtëm të BE-së i kanë bërë thirrje politikës shqiptare që t’i japin fund krizës dhe të gjejnë sa më parë zgjidhjen në mënyrë që të ecin me ritmin e duhur me reformat. “Para së gjithash, të gjithë ne shpresojmë që situata politike në Shqipëri të kthehet në vendin e duhur, që opozita të hyjë në Parlament. E kuptoj që Presidenti po drejton bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje dhe shpresojmë që ai ta gjejë zgjidhjen sepse kjo do të ishte në të mirë të vetë Shqipërisë në radhë të parë, përsa i takon statusit kandidat. Ne shpresojmë që të punojmë së shpejti mbi këtë aplikim në Këshillin e Ministrave të Jashtëm. Shqipëria tani po përgatit Pyetësorin. Pas kësaj çështja i kthehet Komisionit, i cili merr pak kohë për përgatitjen e opinionit. Gjatë kësaj kohe të gjitha problemet në Shqipëri shpresoj të jenë zgjidhur”, - është shprehur ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar. Ndërsa ministri portugez për Çështjet Europiane, Pedro Lourtie, theksoi se stabiliteti politik është mjaft i rëndësishëm. “Stabiliteti politik është i rëndësishëm dhe po ashtu dhe konsolidimi i institucioneve demokratike. Ekziston një proces, i cili duhet ndjekur e kritere që duhen përmbushur, ndaj negociatat do të ndiqen deri në fund”, - është shprehur Lourtie.
Vizat
Ndërsa ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, theksoi gjatë fjalës së tij se kjo situatë do të sjellë vonesa në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. “Kjo është çështje e brendshme e Shqipërisë, por na vjen keq dhe i kërkojmë opozitës të kthehet në Kuvend dhe për këtë të ketë një dialog që ta zgjidhë këtë çështje. E sigurisht, shpresoj që situata aktuale të zgjidhet shumë më përpara opinionit të Komisionit për Shqipërinë”, - është shprehur Bildt. Ndërsa Alexander Stubb, ministër i Jashtëm i Finlandës, pohoi: “Është shumë e vështirë që të gjykosh për këtë, pasi të gjitha vendet e Ballkanit kanë një proces politik e disa prej vendeve janë më shumë problematike sesa të tjerat, kështu që duhet parë efekti përfundimtar”.
Përsa i takon liberalizimit të vizave, ministrat vunë në dukje se nuk ka një datë të qartë se kur do të hyjë në fuqi heqja e këtij regjimi me shqiptarët dhe boshnjakët. Sllovenia shpreson që të paktën politikisht të jepet një mesazh pozitiv në qershor për dy vendet e prapambetura, por gjithçka varet nga vlerësimi i Komisionit për plotësimin e kritereve të kërkuara. “Ne po punojmë që të ndodhë gjatë qershorit, ndaj shpresojmë shumë që të bëhet nga qershori. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të përcjellim këtë mesazh ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjës gjatë presidencës spanjolle. Ne, Sllovenia, po punojmë për arritjen e këtij synimi, por natyrisht që varet shumë nga mënyra se si secili prej këtyre dy vendeve do të jetë përgatitur, varet nga vlerësimi që do të përgatisë Komisioni”, - deklaroi Zgobar.
Ndërsa Bildt theksoi: “Ne do të votojmë pro kur të vijë momenti. Mendoj se Komisioni, siç na ka thënë, po vlerëson Shqipërinë dhe Bosnjën dhe ne presim fillimisht një raport për këtë që të paraqitet në Këshillin e Ministrave të Brendshëm e më pas te ne. Nëse merr dritën e gjelbër atje, natyrisht do të gëzojë dhe mbështetjen tonë. Ata nuk ia mbërritën që t’i plotësonin kushtet, çfarë supozohej se duhet t’i kishin përmbushur. Për mendimin tim kjo gjë duhet të ishte bërë dje; nëse bëhet sot, mirë, por nëse nuk bëhet deri nesër, më vjen keq, por varet nga vetë këto dy vende”.
Anëtarësimi
Përsa i përket anëtarësimit në BE, menjëherë pas ardhjes në pushtet, kryeministri grek Papandreu, propozoi në Bruksel vitin 2014 si datë synuese për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit. Një propozim i tillë është vlerësuar nga ministrat e Jashtëm të BE-së si joreal në praktikë, por për disa vende anëtare kjo mund të shërbejë si datë motivimi për rajonin. “Nuk dua të jap asnjë datë në këtë fazë. E rëndësishme është që gjërat të vijojnë me Serbinë, Maqedoninë dhe me vendet e tjera që janë në rrugën e duhur për t’u anëtarësuar”, - deklaroi Stubb. Ndërsa për Lourtie, “tani është e vështirë që të thuash një datë për anëtarësimin sepse më shumë e rëndësishme është që këto vende të përmbushin kriteret e më pas mund të hyjnë në BE”. “Është një datë motivimi për të motivuar vendet e rajonit që të bëjnë reformat e tyre, që të shpejtojnë dhe që BE-ja, po ashtu, t’i vëzhgojë, por duhet të shohim. Mendoj se është shumë herët që të vendosim një datë anëtarësimi. Por është mirë që të ketë një datë motivuese që këto vende të ecin përpara”, - theksoi Zgobar. Ndërkohë që Bildt shtoi: “Më duket se unë e kam mbrojtur idenë e 2014-ës në mes të viteve ‘90, kur ende mund të kishte qenë datë reale, e kishim shpejtësinë e duhur për këtë. Tani mendoj se do të jetë shumë e vështirë që të fusim gjithsecilin nga vendet e rajonit në 2014-n, por vlerësoj ambicien për të bërë presion ndaj të gjitha vendeve për të ecur sa më shpejt që të mundin”. Edhe pse nuk ka një datë të qartë reale, anëtarësimi i Ballkanit në BE konsiderohet si hapi i radhës në politikën e zgjerimit të unionit.
Shqipëri-Kroaci, shqyrtohet mundësia e një regjimi liberal vizash
Kryeministri Berisha priti dje zëvendëskryeministren e Kroacisë, Durda Adleshiç, e cila zhvilloi një vizitë pune në vendin tonë. Në takim, kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e kësaj vizite për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat. Kryeministri vuri theksin në marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe bashkëpunimin e ngushtë të të dyja vendeve tona në procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe vlerësoi progresin e shënuar nga Kroacia në drejtim të integrimit europian. Kryeministri Berisha falënderoi zëvendëskryeministren kroate për asistencën që specialistët kroatë po i japin Shqipërisë në përgatitjen e përgjigjeve për Pyetësorin e Komisionit Europian. Gjatë takimit, kryeministri Berisha u shpreh edhe për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve. Kryeministri Berisha sugjeroi shqyrtimin e mundësisë së një regjimi liberal vizash për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në Kroaci për arsye pune apo turizmi. Zëvendëskryeministrja kroate, nga ana e saj, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e shpërndarjes së pasaportave biometrike dhe u shpreh e gatshme për të shqyrtuar mundësinë e liberalizimit të regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë që kalojnë në territorin e Kroacisë.
24 Shkurt 2010