E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi Berisha: I gatshëm për zgjidhje bilaterale me PS

Autori i Lajmit: S. Topi
Kryeministri Sali Berisha ka shprehur vlerësime pozitive për takimin e zhvilluar dje delegacionin e Këshillit të Evropës. Pas një takimi që ka zgjatur rreth 40 minuta përtej parashikimit, Berisha tha se ai kishte qenë mjaft i hapur dhe i frytshëm. Komentet e kreut të Ekzekutivit u bënë gjatë mbledhjes së përjavshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ai informoi deputetët demokratë se ka vlerësuar Këshillin e Evropës për mbështetjen e dhënë dhe për rezolutën e miratuar për Shqipërinë. Ndërsa shtoi se shprehu gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për të diskutuar të gjitha problemet bilaterale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.
Deklarata
“Më duhet tju informoj se sapo përfunduam një takim me Delegacionin e Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlüt Çavuşoğlu, që quhet në këtë rast, për sa i përket formimit të tij, Komiteti Presidencial”, - tha dje Berisha. Ai shtoi më tej se në takimin me kreun e KE-së e falënderoi shumë Këshillin e Evropës, për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë; për rezolutën, por edhe delegacionin, i cili ka ardhur në frymën e rezolutës të ndihmojë me praninë e tij dhe mendimet e tij, zhvillimet pozitive në vend. “Unë mendoj se takimi ishte një takim shumë i hapur, i gjerë, i frytshëm dhe shpreha në këtë takim disponibilitetin e plotë timin, të Qeverisë, të koalicionit qeveritar për të trajtuar në mënyrën më serioze, më konstruktive të gjitha problemet bilaterale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri”, - pohoi ai. Deklarata e kreut të Qeverisë u bë pas një takimi për rreth 1 orë e 40 minuta me delegacionin e Këshillit të Evropës. Edhe pse ishte parashikuar që takimi mes tyre të zgjaste vetëm një orë, gjithçka ka kaluar parashikimet. Burimet nga Kryeministria pohojnë se shpjegimet e gjata për gjithë procesin zgjedhor por dhe qëndrimi i prerë i numrit një të Qeverisë për të mos shkelur vendimet e gjykatave ka zgjatur këtë takim përtej parashikimit të mundshëm. KE kishte paralajmëruar vizitën e delegacionit të saj menjëherë pas miratimit të Rezolutës në Asamblenë Parlamentare të tij. Në këtë rezolutë parashikohej qartë kërkesa drejtuar politikës shqiptare për zgjidhjen e asaj që u quajt krizë politike ndryshe nga sa ishte parashikuar në fillim për ta konsideruar si një krizë institucionale. Por një pikë e veçantë në këtë Rezolutë ishte pikërisht kërkesa e drejtpërdrejtë për Presidentin, Bamir Topit që ai të negocionte mes palëve për zgjidhjen e krizës. Një tjetër pikë e Rezolutës së miratuar më 28 janar në KE ishte dhe ngritja e një komision hetimor për hetimin e zgjedhjeve por gjithçka në bazë të ligjit. Ky përcaktim i saktë, ”në bazë të ligji” u bë pas këmbënguljes së delegacionit shqiptar në KE i cili paraqiti një sërë amendimesh nga të cilat u miratuan vetëm 3. Më i rëndësishmi nga këto amendime ishte pikërisht ky përcaktim për hetimin e zgjedhjeve çka sipas demokratëve u konsiderua një fitore sepse limitonte dukshëm hetimin e zgjedhjeve ashtu siç ata po pretendojnë prej muajsh tashmë.

Ky lajm është publikuar: 23/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›