Komisioni i Ligjeve miraton ngritjen e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi gjatë mbledhjes së djeshme projektligjin për ngritjen e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.
Ky institut do të hedhë dritë mbi krimet dhe viktimat e periudhës së diktaturës së komunizmit në Shqipëri, për periudhën 29 nëntor 1944 - 8 dhjetor 1990. Dy elemente të rëndësishme të draftit janë përbërja apolitike e këtij instituti dhe mënyra e re e të shkruarit të historisë së Shqipërisë gjatë 45 viteve të komunizmit. Instituti do të mbledhë në një dorë dokumentet dhe dosjet e asaj kohe, të cilat do të vihen në dijeni të publikut. Ky institucion do të drejtohet nga drejtori Ekzekutiv dhe nga bordi përkatës, anëtarët e të cilit do të kenë një mandat pesëvjeçar, ndërsa do të emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Zgjedhja e anëtarëve të bordit do të bëhet nga institucione apolitike, si Instituti i të Përndjekurve, Akademia e Shkencave, shoqëria civile etj., gjë që është shumë e rëndësishme për vendimmarrjen e tij. Projektligji, që do t’i përcillet së shpejti për miratim seancës parlamentare, parashikon kritere të veçanta për nëpunësit e Institutit. Ata nuk duhet të kenë qenë anëtarë ose kandidatë të PKSH-së ose PPSH-së; nuk duhet të kenë bërë shkollime apo kualifikime në shkollat e larta politike të Sigurimit ose mbrojtjes së Shqipërisë apo vendeve të Traktatit të Varshavës; të mos kenë qenë anëtarë ose nëpunës së Sigurimit të Shtetit etj.
24 Shkurt 2010