E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi PS: Kryeministri të tërheqë ndryshimet në ligj

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste kërkon kthimin mbrapsht të ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror i cili është miratuar tashmë në Komisionin e Ligjeve. Deputeti Sajmir Tahiri deklaroi dje se mazhoranca ka miratuar në fshehtësi të plotë projektligjin e SHISH prandaj Kryeministri duhet të dënojë fajtorët. Ky veprim ka deklaruar më tej deputeti socialist është një akt i rëndë që vë në dyshim të fortë, vullnetin e mazhorancës dhe Kryeministrit për të zgjidhur kolapsin politik në vend duke kërcënuar tryezën e dialogut. Madje ai shtoi se një veprim i tillë nuk është gjë tjetër veçse një metodë fashiste e përdorur nga demokratët. Ligjvënësi socialist kritikoi për këtë veprim dhe Kryetaren e Kuvendit të cilën e konsideroi si përgjegjëse.
Kërkesat
“PS denoncon një akt të rëndë që vë në dyshim të fortë, vullnetin e mazhorancës dhe Kryeministrit për të zgjidhur kolapsin politik në vend duke kërcënuar tryezën e dialogut, si dhe rikonfirmon tentativën e fshehtë për të kapur, kontrolluar e shantazhuar çdo qelizë të shoqërisë, përfshirë opozitën, nëpërmjet kamxhikut politik që po instalohet në SHISH”, - tha dje Tahiri. Sipas tij në një mbledhje sekrete, larg vëmendjes së opinionit publik, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit (Neni 35), është mbledhur në fshehtësi të plotë Komisioni i Ligjeve dhe ka miratuar projektligjin e SHISH, duke shpërfillur thirrjet e PS-së, apelin e shoqërisë civile, e madje duke shpërfillur edhe kërkesat e ndërkombëtarëve që më shumë se një herë i bënë thirrje mazhorancës të ndalet. “Ky është procesverbali sekret prej 11 faqesh, që pasqyron mbledhjen dhe miratimin e projektligjit të SHISH. Në këtë procesverbal, janë rekordet e mbledhjes sekrete në Komisionin e Ligjeve, ku nëpërmjet një debati mediokër e fare formal, deputetët e mazhorancës së bashku me të dërguarin personal të Kryeministrit, materializojnë vullnetin e Berishës për të kapur SHISH e për ta përdorur politikisht atë, siç ka bërë edhe në të shkuarën”, - tha ai. Sipas Tahirit kjo procedurë sekrete është dëshmia e radhës se ky kryeministër, po synojnë me çdo kusht ta tërheqin vendin në spiralen e një diktature të maskuar, duke njësuar mekanizmat e pushtetit me ato të partisë, dhe duke i përdorur ndaj opozitës e ndaj gjithkujt që kundërshton Berishën dhe mazhorancës. “Këto metoda fashiste me mbledhje sekrete nga deputetë të paguar nga taksat e qytetarëve por që sillen si guerrilas, na bën të dyshojmë sot më shumë se kurrë se Berisha po synon të rikthejë SHIK-un famëkeq si institucion dhune e represioni për interesat e tij politike”, - tha ai. Tahiri nisur nga këto qëndrime i bëri thirrje Kryeministrit të deklarojë tërheqjen pa kushte nga ndryshimet e propozuar për ligjin e SHISH. “I kërkojmë Berishës të shkarkojë Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, të anulojë pasojat që ka sjellë mbledhja e fshehtë komisionit në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit (Neni 35), si dhe të kërkojë ndjesë publike ndaj opozitës, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë”, - tha ai. Tahiri shtoi se përgjegjësi të drejtpërdrejtë mban Kryetarja e Parlamentit, e cila pse ka lejuar me vullnet të plotë apo pse ka lejuar pa dashje, që nën hundën e saj të zhvillohen mbledhje sekrete, në Kuvendin e Shqipërisë nga deputetë të paguar nga taksat e qytetarëve, të japë dorëheqjen e menjëhershme.

Ky lajm është publikuar: 23/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›