E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i Komisionit të Venecias mbërrin nesër në Shqipëri

23-10-2011 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore

Një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Tiranë të hënën, për të shkëmbyer pikëpamjet, në lidhje me legjislacionin dhe praktikën zgjedhore shqiptare. Në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, thuhet se “delegacioni i Komisionit të Venecias ndodhet në Tiranë, në një vizitë pune dy ditore”. “Qëllimi i vizitës është hartimi i një opinioni të përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, lidhur me përmirësimet që mund t’i bëhen legjislacionit elektoral dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri, bazuar kjo në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës”.
Ministri i Jashtëm, Haxhinasto, do të presë nesër në takim delegacionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR, i kryesuar nga sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert.
Edhe në njoftimin  e publikuan nga zyra e Këshillit të Europës në Shqipëri saktësohet se, “pas zgjedhjeve lokale, dhe në veçanti pas sfidave të hasura në lidhje me zgjedhjet e fundit për kryebashkiakun e Tiranës, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, më 24 gusht 2011, kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias se “çfarë ndryshimesh duhen bërë në legjislacionin dhe praktikën zgjedhore në Shqipëri në dritën e përvojës së kohëve të fundit”. Opinioni do të hartohet së bashku me OSBE/ODIHR-in”.
Gjithashtu, delegacioni do të takohet me Kryeministrin, Kryetaren e Parlamentit, Ministrin e Punëve të Jashtme, përfaqësues të partive politike, autoritete të tjera kombëtare dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të pranishëm në Shqipëri.     
Delegacioni përbëhet me përfaqësues të Komisionit të Venecias, Pieter Van Dijk anëtar, Holland, Oliver Kask anëtar, Estoni, Konrad Olszeëski ekspert, Poloni, Thomas Markert drejtor, Sekretar i Komisionit të Venecias, Pierre Garrone Shef i Divizionit të Zgjedhjeve dhe Referendumeve, Sekretariati i Komisionit të Venecias, ndërsa nga  OSBE/ODIHR-i do të jenë, Armin Rabitsch Këshilltar i lartë zgjedhor, Richard Lappin Këshilltar Zgjedhor, dhe Marianna Skopa eksperte Ligjore.
Zyra e Këshillit të Europës në Tiranë bën të ditur se pas kësaj vizite, do të finalizohet një draft-opinioni (i përgatitur bashkërisht nga raportuesit e Komisionit të Venecias dhe ekspertët e OSBE/ODIHR-it) dhe të dorëzohet në Komisionin e Venecias për miratim të mundshëm në seancën e saj plenare të dhjetorit 2011, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm. Ndërsa në fund të vizitës është planifikuar një ndalesë për shtypin, më 25 tetor 2011, në 12:15, në ambientet e Hotel “Rogner”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›