E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i NATO në Tiranë: Kriza rrezikon strategjinë në Aleancë

TIRANE- Pas mbylljes së vizitës dy ditore në Tiranë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s sapo ka përfunduar një konferencë për shtyp në kryeqytet duke ritheksuar edhe njëherë thirrjen e bërë shpesh nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike të vendit.

Kryetari i këtij delegacioni, De Gregorio konsideroi kritike situatën politike në Shqipëri për shkak të krizës që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
De Gregorio theksoi se takimet që ka patur me krerët e shtetit kanë nxjerrë në pah krizën politike, duke nënvizuar se kjo situatë rrezikon strategjinë në Alencën e NATO-s.

Kryetari i delegacionit të NATO-s shprehu shqetësimin e madh të vendeve anëtarë ndërsa u bëri thirrje liderëve politikë të tregohen të kujdesshëm në zgjidhjen e ngërcit. De Gregorio rekomandoi rrugën e dialogut dhe konsensusit për të bërë të mundur funksionimin e duhur të legjislativit në mënyrë që të cohen përpara reformat në vend.
I pyetur për cështjen e hapjes së kutive, zyrtari i lartë fillimisht tha se ishte informuar nga autoritetet shtetërore se nuk mund të bëhet rinumërimi i votave por më pas precizoi se u takon autoriteteve shqiptareve dhe parlamentit të vendosë për këtë cështje.

Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka rekomanduar atë që është dëgjuar shpesh nga ndërkombëtarët, zgjidhjen e ngërcit politik që sipas tyre po rrezikon dhe strategjinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›