E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, dënohen me gjobë 3 komisionerët e PS-së në Shkodër

Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër ka shpallur fajtor tre komisionerët e Partisë Socialiste të qendrës së votimit nr 342 të fshatit Juban komuna Guri i Zi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe fallsifikimit të dokumentave si dhe braktisjes së qendrës së votimit.
Vendimi i shkallës së parë të gjyqësorit është marrë ditën e martë, ndërkohë që avokati i çështjes Ardian Hajdari ka shfaqur pretendimin se ky vendim është marrë pa konsultën paraprake me provat e paraqitura nga mbrojtja. Procesi gjyqësor drejtohej nga gjykatësi Aleks Nikolli i cili ka vendosur gjobitjen e tre komisionerëve të Partisë Socialiste të fshatit Juban komuna Guri i Zi me shumën prej 90 mijë lekë të reja. Edmond Pjetraj, Pjetër Lazri dhe Aurel Hila ishin anëtarë të komisionit të qendrës së votimit nr 342 në fshatin Juban, ku njeri prej të cilëve ishte dhe kryetar i komisionit.
Gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në këtë
qendër votimi rezultuan 27 fletë votimi më tepër se numri i
zgjedhësve. Ky ka qenë shkaku i ndërprerjes së procesit të votimit për mëse 2 orë. Pasi kanë njoftuar KZAZ për këtë problem komisionerët e Partisë Socialiste kanë kërkuar mbylljen e procesit, kërkesë e cila nuk u është pranuar. Në këtë moment ato janë larguar nga qendra e
votimit, ndërsa procesi ka vijuar, ku 100 fletë votimi në këtë kuti
kanë qenë pa vulën e kryetarit të komisionit. Kjo qendër votimi u
refuzua të numërohej në qendrat e numërimit të votave nr 4 të Bushatit dhe më vonë u konsiderua e pavleshme me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por dhe Kolegjit Zgjedhor.
Pavarësisht nga këto dy vendime mbi pavlefshmerinë e procesit për parregullsi të rënda, në gjykaten e Shkodrës janë shpallur fajtorë vetëm tre komisionerët e majtë ndërkohë që komisionerët e djathtë janë thirrur për të dëshmuar, pa asnjë akuzë në ngarkim të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›