Delegacioni i PE-së, Kukan dhe Fajon, sot në Shqipëri për plotësimin e kushteve për vizat
Kushtet për liberalizimin e vizave do të sjellin në Tiranë një delegacion të Parlamentit Europian, kryesuar nga Eduard Kukan, shefi i Delegacionit për Ballkanin. Ata priten të jenë sot në Tiranë për të parë nga afër se si janë plotësuar kushtet e BE-së për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Kukan ka theksuar se është e rëndësishme që liberalizimi të realizohej para verës, në mënyrë që njerëzit të lëvizin lirshëm, por për këtë duhen parë kushtet. Sipas tij, janë dërguar 3 grupe ekspertësh në Tiranë për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe raportet e dy grupeve të para ishin pozitive. “Presim që dhe grupi i fundit të ketë po ashtu qëndrim pozitiv. Pra, kemi të bëjmë me një situatë ku Shqipëria po përmbush kriteret dhe logjikisht Komisioni përcaktoi kushtet që ju po i plotësoni dhe ne duam të rekomandojmë gjithandej se nuk duhet pritur më”, - është shprehur Kukan vetëm pak ditë para vizitës së tij në Tiranë. Kukan ka thënë më tej se janë të interesuar të shohin situatën në vend, të flasin me personat përgjegjës. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni do të vizitojë disa qendra kontrolli për anën teknike. Delegacioni, që përbëhet nga eurodeputetët Jelko Kacin, Simon Busuttil nga Malta, holandezja Marije Cornalissen si dhe raportuesja e Parlamentit për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, do të takohet me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Jashtëm dhe atë të Punëve të Brendshme. Nuk dihet nëse vlerësimet edhe këtë herë do të jenë pozitive, duke ditur që ndërkombëtarët kanë theksuar se kriza politike rrezikon proceset integruese në vend, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave. “Shqipëria ka nevojë të tregojë pjekurinë e saj politike më shumë se kurrë në këtë moment vendimtar për liberalizimin e vizave dhe duke pasur parasysh fuqizimin e procesit të integrimit europian të vendit”, - deklaroi përmes një njoftimi për mediat Tanja Fajon. Por, edhe nëse vlerësimet e ekspertëve për Shqipërinë do të jenë pozitive, atëherë vlerësimi përfundimtar pritet të jepet nga Bashkimi Europian. Në procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë, sipas kryesuesit të delegacionit, Kukan, ka ndikuar edhe fluksi i azilkërkuesve maqedonas e serbë në Europë. “Fakti që mediat raportuan çështjen e azilkërkuesve nuk po e ndihmon situatën, përkundrazi, po u jep argumente atyre që nuk kanë qëndrim të qartë pro heqjes së regjimit të vizave”, - tha ai. Vizita e përfaqësisë së Parlamentit Europian konsiderohet private për Parlamentin Europian, edhe pse ajo zhvillohet me ftesë zyrtare nga autoritetet shqiptare.
Viktor Bostinaru
“Mesazhi im si zv.kryetar i Delegacionit për Europën Juglindore në PE është i qartë si kristali: Qeveria duhet të gjejë zgjidhje. Qeveria dhe kryeministri duhet të jenë në Kuvend për të realizuar më në fund, për të negociuar për zgjidhje politike, për të zgjidhur krizën ekzistuese politike. Unë besoj se zoti Berisha dhe partia e tij do të ndërmarrin vendime të zgjuara për mirëfunksionimin e Parlamentit; nëse jo, duhet të jetë përgatitur për kostot”.
Tanja Fajon
“Shpresoj që maxhoranca, pas kthimit të opozitës në Parlament, do të japë një përgjigje pozitive ndaj kërkesave të saj për të ngritur një komision hetimor. Hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë, si themeli i përmirësimeve në mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen, për të përmbushur standardet. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset themeli i një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës”.
22 Mars 2010