E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm, Meta, pritet në Uashington nga zv.sekretari i Shtetit, Steinberg



Në vazhdim të vizitës së tij në Uashington DC, zv.kryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga zv.sekretari amerikan i Shtetit, James B. Steinberg. Gjatë këtij takimi zv.sekretari i Shtetit, Steinberg dhe zv.kryeministri Meta u ndalën në çështje të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në kuadër të sigurisë ndërkombëtare, në rolin e Shqipërisë në rajon, si dhe në procesin e njohjes së Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme Meta paraqiti edhe një herë qëndrimin e konsoliduar të qeverisë shqiptare për pjesëmarrje aktive në operacionet ndërkombëtare të sigurisë, duke theksuar prezencën në Afganistan dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, si dhe duke garantuar një angazhim dhe kontribut në rritje të Shqipërisë në operacionet e Aleancës. Gjithashtu, Meta dhe Steinberg diskutuan mbi situatën në rajonin e Ballkanit duke vënë në dukje rolin strategjik të Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Zv.kryeministri Meta e njohu zv.sekretarin Steinberg me vizitën e tij të fundit në Serbi, takimet me drejtuesit politikë dhe vizitën në Luginën e Preshevës. Ilir Meta u shpreh se “kjo vizitë i shërben jo vetëm rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe rritjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, i cili ka tashmë një të ardhme të sigurt drejt Bashkimit Europian”.
Ministri Ilir Meta dhe sekretari Steinberg ndanë pikëpamje të njëjta për çështjen e pavarësisë së Kosovës, e cila u konsiderua si një proces i pakthyeshëm që i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kuadër, z. Meta shprehu angazhimin e Shqipërisë për shtimin e përpjekjeve diplomatike në dobi të njohjes së mëtejshme të Republikës së Kosovës nga shtete të tjera.

22 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›