Kastrioti, i “pabesë” me Besën
Kastrioti mposhti 3-2 Besën në Krujë, në ndeshjen hapëse të javës së 24-t të Kategorisë Superiore, duke regjistruar fitoren e dytë rresht (pas asaj me Tiranën), ndërkohë që kavajasit pësuan humbjen e dytë rresht (pas asaj me Skënderbeun). Blerja dimërore e Besës, Vioresin Sinani, shënoi golin e parë të takimit në minutën e 13-të, goli i tij i tretë sezonal, dhe i dytë me fanellën verdhezi. Për 3-herë golashënuesin më të mirë të Shqipërisë ky ishte dhe goli i tij i 194-të në karrierë.
Më fillimin e pjesës së dytë nisi edhe “Kastrioti-Shoë”, kur brenda 15 minutash krutanët e Ramadan Ndreut shënuan tre gola. Oriand Abazaj shënoi pa kaluar 60 sekonda lojë (goli i tij i 8-të sezonal), ndërkohë që mesfushori kroat Ivan Babiç firmosi në harkun e tetë minutave dopjetën e tij: 53’ dhe 61’. Besa u kundërpërgjigj me anë të golashënuesit më të mirëe të saj, Daniel Xhafaj, i cili shkurtoi diferencën në minutën e 64-t, por pa ndryshuar dot fatin e ndeshjes. Për vlonatin 32-vjeçar ky ishte goli i 11-të sezonal, duke u barazuar kështu në krye të renditjes me Elis Bakajn e Dinamos, e qenë një kandidaturë e fortë për “Këpucën e artë”. Kastrioti u ngjit në kuotën e 29 pikëve (përkohësisht në vendin e 8-të), ndërkohë që Besa (pësoi humbjen e 6-të sezonale) vazhdon të ruajë vendin e dytë me 40 pikë, pesë më shumë se Tirana e vendit të tretë, e që do të luajë në Vlorë me Flamurtarin. Në tre takimet sezonale, Kastrioti fitoi dy prej tyre në shtëpi : 1-0 (faza e parë) dhe 3-2 (faza e tretë); Besa fitoi 1-0 (faza e dytë) në Kavajë.
Kategoria Superiore
Java 24
19.03.2010
14:00 Kastrioti-Besa 3-2
20.03.2010
14:00 Skënderbeu-Dinamo (Korçë)
14:00 Teuta-Gramozi (Durrës)
14:00 Apolonia-Shkumbini (Fier)
21.03.2010
13:00 Vllaznia-Laçi (Shkodër)
14:00 Flamurtari-Tirana (Vlorë)
Kupa, intrigë në akset jashtë kryeqytetit
Teuta-Vllaznia dhe Besa-Shkumbini janë dy çiftet gjysmëfinale të edicionit të 58-të të Kupës së Shqipërisë. Ky është verdikti pas hedhjes së shortit për turin gjysmëfinal në ambientet e "Hotel Rogner Europa Park". Ndeshjet e para do të luhen, më 24 mars dhe ato të kthimit më 7 prill. Finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet, më datë 9 maj. Asnjë nga ekipet gjysmëfinaliste nuk i përket kryeqytetit kështu që finalja pritet të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste vetëm Shkumbini nuk e ka fituar asnjëherë kupën. Vllaznia e ka fituar 6 herë (e fundit në vitin 2008), Teuta 3 herë (2005) dhe Besa një herë (2007). Gjithsesi, Shkumbini ka marrë pjesë katër në gjysmëfinale e tenton këtë vit fitimin e trofeut, pasi eliminoi skuadrën më të mirë të Superligës, Dinamon. Teuta për herë të fundit në finale ka qenë në edicionin 2006-2007 kur humbi në finale me Besën 3-2. Për Vllazninë është gjashta herë rresht që merr pjesë në gjysmëfinale. Me Besën, Shkumbini është eliminuar një herë në gjysmëfinale, më 2007 (3-3,1-1), ndërsa dy herë është kualifikuar. Fillimisht më 2001-2002 (1-0, 3-0) dhe sezonin e kaluar (1-1, 1-0).
ÇIFTI TEUTA-VLLAZNIA
RRUGA E TEUTËS
Në turin e parë Teuta eliminoi Vlorën, në turin e dytë Partizanin dhe në turin e tretë eliminoi Gramozin
TEUTA
Viti i themelimit: 1925
Në gjysmëfinale: 17 herë
RRUGA E VLLAZNISË
Në turin e parë, Vllaznia eliminoi Tomorin, në turin e dytë eliminoi Kamzën dhe në të tretin, Skënderbeun.
VLLAZNIA
Viti i themelimit: 1919
Në gjysmëfinale: 28 herë
ÇIFTI BESA-SHKUMBINI
RRUGA E BESES
Në turin e parë Besa eliminoi Pogradecin, në turin e dytë eliminoi Laçin dhe në turin e tretë, Tiranën.
BESA
Viti i themelimit: 1925
Në gjysmëfinale: 11 herë
RRUGA E SHKUMBINIT
Në turin e parë Shkumbini eliminoi Memalian, në turin e dytë eliminoi Kastriotin dhe në tretin, Dinamon.
SHKUMBINI
Viti i themelimit: 1925
Në gjysmëfinale: 4 herë
20 Mars 2010