E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i Bërdosë: Rruga e Europës Juglindore drejt anëtarësimit në BE



Samiti i zhvilluar dje në Bërdo të Sllovenisë përfundoi me nënshkrimin njëzëri të deklaratës së përbashkët të liderëve të vendeve të Europës Juglindore, në të cilën angazhohen për bashkëpunimin rajonal si parësor për integrimin në Bashkimin Europian. Në këtë deklaratë u theksua se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Europian. Të pranishëm në këtë samit ishin kryeministrat e Sllovenisë, të Kroacisë, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ata miratuan njëzëri deklaratën përfundimtare me të cilën përshëndesin futjen në fuqi të Marrëveshjes së Lisbonës. Ata rikonfirmuan vullnetin e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe plotësimin e kushteve të parashikuara në këtë proces. Pjesëmarrësit i bëjnë thirrje BE-së, që procesi i anëtarësimit të vendeve të Europës Juglindore të mbetet një prej prioriteteve në axhendën e tij. Në këtë samit mungoi vetëm përfaqësuesi i lartë i Serbisë, Boris Tadiç, për shkak se ishte i pranishëm kryeministri i Kosovës së pavarur, Thaçi. Brukseli u përfaqësua vetëm nga komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, ndonëse në fillim ishte paralajmëruar edhe pjesëmarrja e Presidentit të Këshillit të BE-së, Hermann van Rampey dhe e ministrit të Jashtëm të Spanjës, Moratinos. Nuk pati shpjegime zyrtare për mungesën e tyre, por u tha se një nga shkaqet ishte bojkotimi i takimit prej presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i cili kishte kërkuar që Kosova të përfaqësohet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kufijtë
Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, u shpreh para gazetarëve se diagnoza për zgjidhjen e problemeve në rajon është që secili shtet ta njohë secilin shtet dhe se pa mirëbesim nuk mund të zgjidhen problemet. Ndërsa kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, shpreson se në takimin e radhës do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha vendeve. Ajo e quajti takimin e Bërdosë si një urë të rëndësishme: “Ura që kemi ndërtuar sot këtu në Bërdo paraqet një mbështetje të qëndrueshme, të sinqertë dhe të vërtetë në rrugën e Europës Juglindore drejt anëtarësimit në BE”, - është shprehur kryeministrja e Kroacisë. Kosor gjithashtu theksoi se çështja e kufijve duhet të ndahet nga ajo e integrimit, me qëllim që procesi të zhvillohet sa më shpejt.
Bashkëpunimi
Komisioneri për Zgjerimin, Fule, gjatë fjalës së tij theksoi se konferenca përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit të rajonit në Bashkimin Europian dhe tregon për gatishmërinë e vendeve të Europës Juglindore, që të punojnë së bashku drejt afrimit me BE-në. Sipas tij, secili vend i këtij rajoni është i interesuar për anëtarësim në BE dhe se vendet e kanë kuptuar se bashkëpunimi është në interesin e tyre. Komisioneri Fule nuk deshi të komentojë mungesën e presidentit Tadiç në këtë konferencë. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh se vendi i tij është i interesuar për bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit. “Vizioni ynë është bashkëpunimi, dhe jo bojkotimi”, - theksoi ai duke shtuar se kjo konferencë paraqet një shans shumë të mirë për të prezantuar vizionet për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin, me qëllim integrimin në Bashkimin Europian. “Republika e Kosovës po punon fuqishëm, që të bëhet sa më parë pjesë e NATO-s dhe BE-së”, - theksoi Thaçi. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, theksoi se presidenti Tadiç e ka vendin në këtë konferencë sepse bashkëpunimi rajonal është një ndër parakushtet kryesore për integrimin europian. “Shqipëria është e interesuar për bashkëpunim të thellë rajonal. Tadiçi e ka vendin në këtë konferencë, por zgjedhja është e tij”, - është shprehur Berisha. Sa i përket Kosovës, kryeministri Berisha u shpreh se “Kosova gjithnjë e më shumë po konsolidohet si faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Natyrisht që prania e saj është një kontribut në zgjidhjen e problemeve të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon”, - theksoi Berisha.

Berisha në Slloveni: “Bashkëpunimi rajonal, i rëndësishëm për integrimin në BE”

Kryeministri shqiptar, i pranishëm në konferencën e nivelit të lartë me krerët e Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, u shpreh gjatë fjalës së mbajtur në këtë konferencë se “bashkëpunimi rajonal është pa dyshim substancial për të gjithë ne që aspirojmë integrimin në BE”. Shqipëria, u shpreh kryeministri Berisha, i kushton shumë rëndësi bashkëpunimit rajonal, dëshmi e një transformimi të thellë dhe një përpjekje shumë serioze. Gjatë fjalës së tij kryeministri shqiptar përshëndeti hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ai tha se qeveria shqiptare është “thellësisht e bindur se ky traktat do t’i japë një frymëmarrje të re ëndrrës për një Europë të vetme, të bashkuar e të lirë, por do të sjellë, njëkohësisht, një bazë të re ligjore për funksionimin e këtij unioni dhe një rritje të kapaciteteve integruese të tij për Europën Juglindore”. Berisha u shpreh se gjatë muajve të fundit rajoni i Ballkanit ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara, në kuadër të procesit të integrimit në BE e të proceseve të tjera, të lidhura me të, të cilat afrojnë vendet tona në lidhje gjithnjë e më të ngushtë me familjen europiane të vlerave të përbashkëta. “U bë propozimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe u sinjalizua përfundimi i shpejtë i negociatave të anëtarësimit të Kroacisë. Shqipëria e ka në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë paraqitur kërkesën për anëtarësim dhe ndodhen jo shumë larg njëra - tjetrës në procesin e plotësimit të Pyetësorit. Ndërkohë janë liberalizuar vizat për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi dhe ne presim që kësaj liste t’i bashkohet së shpejti Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, por edhe Kosova të ketë procesin e saj me një udhërrëfyes konkret”, është shprehur Berisha i cili më pas ka bërë një ekspoze të detajuar të reformave që ka ndërmarrë Shqipëria për të plotësuar kushtet e liberalizimit të vizave por edhe integrimit në BE.

“Zgjedhjet e 28 qershorit u certifikuan nga OSBE/ODIHR-i”

Duke iu referuar situatës politike në vend, gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e Sllovenisë, kryeministri Berisha u shpreh se zgjedhjet e 28 qershorit janë certifikuar nga OSBE/ODIHR-i. “Më 28 qershor Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat u vëzhguan nga 510 vëzhgues të OSBE/ODIHR-it dhe institucione të tjera ndërkombëtare, dhe u vlerësuan si zgjedhjet që përmbushën standardet kryesore të OSBE/ODIHR-it, në të cilat nuk pati asnjë evidencë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt. Zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet e para në historinë e vendit, të cilat u firmosën pa përjashtim nga të gjithë komisionerët e të gjitha forcave politike. Rezultati i tyre u certifikua 7 me 0 nga të gjithë anëtarët KQZ-së, të zgjedhur nga pozita dhe opozita në mënyrë konsensuale. Kjo sepse ato ishin unike në transparencën e tyre, ku çdo komisioner dhe çdo vëzhgues, në procesin e numërimit kishte të drejtën e vetos në kundërshtinë e tij. Dhe gjatë numërimit, çdo votë u filmua, u fotografua dhe u transmetua live në qendrën e numërimit dhe në kohë reale në KQZ”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare.

22 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›