E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i Strasburgut, shansi i vetëm për zgjidhjen e krizës

Delegacioni i Këshillit të Europës është konstituuar tashmë dhe pritet ardhja e tij në Tiranë për zgjidhjen e krizës teksa Rama dhe Berisha ende ndodhen në pozicione të pandryshueshme. Edhe qëndrimet e shprehura pas miratimit të Rezolutës nga Asambleja Parlamentare në Strasburg nuk kanë shërbyer aspak për uljen e tensioneve dhe gjetjen e fijeve për uljen në tryezë. Po ashtu, presidenti Topi është mjaftuar vetëm me një keqardhje për atë që ndodhi në Strasburg dhe mirëpret propozimet që vijnë nga palët për zgjidhjen e situatës. Gjithsesi, maxhoranca nuk ka lëshuar pe duke e interpretuar Rezolutën si një ftesë për opozitën, e cila duhet të braktisë bojkotin dhe të hyjë në Parlament. Ajo ka bërë të qartë që pas 4 marsit do të fillojnë procedurat për djegien e mandateve të 64 deputetëve të opozitës, gjë që konfirmohet edhe nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani.

Delegacioni
Dje është përcaktuar përbërja e Delegacionit të Këshillit të Europës dhe data e mbërritjes në Tiranë për të nisur bisedimet mes maxhorancës dhe opozitës. Grupi që do të udhëtojë në Shqipëri përbëhet nga: kryetari i sapozgjedhur i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, turku Mevlut Çavusoglu, kreu i Grupit Parlamentar të Partive Popullore, belgu Luc van den Brande, kryetari i grupit socialist, zvicerani Andreas Gross. Grupin e demokratëve europianë pritet ta përfaqësojë nënkryetari, rusi Konstantin Kosachev, pasi kryetari është reporter për Shqipërinë, kreu i Aleancës së Liberalëve, deputetja nga Luksemburgu Anne Brasseur, si edhe kreu i të majtëve të Europës, holandezi Tiny Cox. Gjithashtu, si pjesë shumë e rëndësishme e delegacionit janë edhe reporterët për Shqipërinë, britaniku David Wilshire dhe finlandezi Jaakko Lakkso.
Në ditët e qëndrimit të tyre në Shqipëri, anëtarët e delegacionit do të takohen me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, kryeministrin Berisha, kryetarin e PS-së, Edi Rama, ministrin e Jashtëm, Ilir Meta dhe përfaqësues të misionit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare në vendin tonë.

Zbatimi i Rezolutës
Thelbi i misionit të këtij delegacioni është zbatueshmëria e Rezolutës nga maxhoranca dhe opozita. Ajo kërkon uljen e dy palëve në një tryezë politike. Po ashtu, ofron mbështetje për Presidentin Topi, të cilit i kërkohet për të qenë ndërmjetës për t’i dhënë fund konfliktualitetit dhe kërkesave të të dyja palëve. Zyrtarët e lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë përpiluar një paketë propozimesh për dhënien fund bojkotit dhe ofrimin e garancive për opozitën që të hyjë në Kuvend.

Ashpërsimi i klimës
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zbarkimi në Tiranë i anëtarëve të Delegacionit të PACE, situata nuk duket aspak premtuese. Palët akuzojnë njëra-tjetrën se refuzojnë dialogun. Por, nëse PS-ja ka pranuar Presidentin si ndërmjetësues, maxhoranca po synon të zhvlerësojë rolin e tij dhe refuzon të pranojë krizën politike në vend. Kjo u duk edhe në interpretimet që i bëri kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Ilir Rusmali.
Maxhoranca vazhdon t’i qëndrojë idesë për djegien e mandateve të deputetëve socialistë nëse ata nuk hyjnë deri në javën e parë të marsit. Kryeministri Berisha e deklaroi qartë një gjë të tillë në konferencën për mediat, një ditë pas miratimit të Rezolutës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Një qëndrim i tillë është mbështetur edhe nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Ai ka deklaruar mëse një herë se nuk sheh asnjë pengesë ligjore për zëvendësimin e mandateve të PS-së me emrat e tjerë poshtë listës që ka depozituar PS-ja në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Madje, edhe kërkesën që bëri së fundi Partia G99, pjesë e grupimit opozitar, për marrjen e një kopjeje të dokumentacionit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për qarqet e Tiranës dhe Beratit, ai ka thënë se do ta fusë në procedurë. Në rast miratimi të kësaj kërkese, atëherë KQZ-ja do t’i kthejë përgjigje këtij subjekti politik brenda 40 ditëve, ashtu siç e parashikon ligji. Ndërkaq, afati i përcaktuar me ligj, sipas KQZ-së, është deri më 4 mars, datë kur sipas Ristanit, skadojnë 64 mandatet aktuale të PS-së. Por, ky interpretim ligjor është rrëzuar nga përfaqësuesja socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, e cila ka theksuar se mandatet aktuale të deputetëve socialistë nuk digjen ligjërisht.
Tashmë zgjidhja nuk gjendet brenda spektrit politik dhe shpresa e vetme është te ndërmjetësimi dhe presioni që do të bëjnë përfaqësuesit e Këshillit të Europës.

Propozimet

Negociatat mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste i kanë të hapura të gjithë opsionet e rezultateve që do të prodhohen, për vetë faktin se të dyja palët nuk kanë shënuar lëshime përsa u përket kërkesave të tyre. Partia Socialiste pritet që të ngulmojë fort dhe pa lëshuar në kërkesën për hetimin e plotë parlamentar përmes hapjes së kutive. Po ashtu, maxhoranca, nga ana e saj, pritet që të ngulmojë edhe ajo fort në kërkesën për të mos hapur kutitë, me argumentin se kjo bie ndesh me Kushtetutën. Gjatë këtyre diskutimeve pritet që Partia Socialiste të ofrojë si zgjidhje miratimin e një ligji të veçantë nga Parlamenti, me afat të përkohshëm dhe vetëm për zgjedhjet e 28 qershorit, ku të përcaktohet qartë se rezultati i hetimit nuk do të ndryshojë as vendimet e Kolegjit Zgjedhor dhe as rezultatin e zgjedhjeve që është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në të kundërt, kur maxhoranca nuk do të pranojë as këtë propozim të Partisë Socialiste, atëherë kërkesa pasuese do të jetë vetëm ajo e zgjedhjeve të parakohshme, si alternativë që “kompenson” mungesën e transparencës zgjedhore të 28 qershorit.

PIKA TË REZOLUTËS

6. Asambleja shpreh gatishmërinë të ofrojë një mundësi për arritjen e një zgjidhjeje dhe të punojë në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e tjera ndërkombëtare, në kërkim të një zgjidhjeje politike të krizës. Asambleja mbështet të gjitha përpjekjet, përfshirë ato të ndërmarra nga Presidenti i Shqipërisë, z. Topi, për të bërë së bashku partitë shqiptare. Në këtë drejtim, konsideron se një tryezë e rrumbullakët, ku të mblidhen të gjitha partitë politike në Shqipëri, mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike dhe rivendosjen e bazave të dialogut parlamentar.

7. Asambleja i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës t’i japin fund krizës aktuale politike në vend dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të vazhdohet me reformat e nevojshme jetike për vendin, që mund të shënojnë progres drejt integrimit europian, objektiv i përbashkët për të gjithë. Në veçanti, Asambleja i kërkon qeverisë të ngrejë, pa vonesa të mëtejshme, një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, që do të respektojë vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për komisionet e hetimit parlamentar. Në të njëjtën kohë, Asambleja i bën thirrje opozitës për t’u kthyer në Parlament, që të luajë plotësisht rolin e saj.

9. Asambleja fton më tej zyrtarët e partive politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri, për të ngritur një grup të përbashkët, që të evidentojë të gjitha rastet e presionit të ushtruar mbi qytetarët në fushatën zgjedhore dhe të nxjerrë përgjegjësitë për ata që kanë shkelur ligjin elektoral.

10. Me qëllim që të mbështesë procesin e zgjidhjes së situatës aktuale politike, për të ndihmuar Presidentin Topi në rolin e tij të ndërmjetësit dhe përpjekjen e tij për të rivendosur dialogun e tij politik, duke ndihmuar në dhënien fund të bojkotit që bazohet në pranimin e rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe restaurimin e plotë të demokracisë parlamentare, Asambleja vendos të kërkojë:

10.1. Presidenti Topi, në qoftë se ka ndonjë mënyrë, të mund të ndihmojë për arritjen e zgjidhjes.

2 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›