E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, bilanc të hidhur me ligjet antikushtetuese

Eljona Ballhysa
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar brenda një jave dy projektligje të rëndësishme të qeverisë, siç ishte Marrëveshja Shqipëri-Greqi për kufijtë detarë dhe së fundi ligji për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë, siç quhet ndryshe, ligji i dosjeve. Por, gjatë këtyre viteve, qeveria “Berisha” ka nxjerrë një bilanc të hidhur përsa u përket projekteve të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese. Nuk janë pak, por janë rreth 10 ligje të rrëzuara nga kjo gjykatë dhe shumë të tjera të ankimuara dhe që presin ende një përgjigje përfundimtare. Ligjet e rrëzuara nga Kushtetuesja janë ligje të “reklamuara” me forcë nga qeveria, por që nuk kanë gjetur mbështetjen e opozitës dhe të grupeve të interesit. Pas ankimimeve ata janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur të rrëzojë projektet e qeverisë duke i konsideruar shumicën e tyre në mospërputhje me Kushtetutën e vendit.
Ligjet
Përveç dy ligjeve të fundit të rrëzuara nga Kushtetuesja dhe që kanë qenë për një kohë të gjatë në qendër të debatit politik dhe mediatik, si ligji i dosjeve dhe Marrëveshja e kufijve me Greqinë, janë një sërë ligjesh të tjera që janë rrëzuar gjatë pesë viteve të fundit. Në këtë listë përfshihet ligji “Për funksionimin e Gjyqësorit”, ligji “Për legalizimet dhe urbanizimet në zonat informale”, ligji “Për procedurat tatimore, gjobat”, ligji “Për miratimin e aktit normativ për urbanistikën”, ligji “Për miratimin e aktit normativ për prefektin”, ligji “Për Akademinë e Shkencave”, ligji “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj” dhe së fundi “Marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për kufijtë detarë”.
Argumentet
Përsa i përket rrëzimit të ligjit për gjobat ndaj biznesit, Kushtetuesja veproi pas ankimimit të 7 shoqatave të biznesit. Shoqatat e bizneseve të ndryshme në vend kishin dërguar në Kushtetuese shfuqizimin e nenit që fliste për parapagimin e gjobës në masën 15 për qind para se të bëhej kërkesë-padia në gjykatë. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi të pranojë kërkesën e subjekteve kërkuese, duke shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë pikën 2 të Nenit 3, të Ligjit Nr. 9713, datë 16.04.2007, sipas të cilit, "tatimpaguesit, para se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, janë të detyruar të paguajnë 15 për qind të çdo gjobe dhe interesi".
Përsa i përket ligjit “Për funksionimin e pushtetit gjyqësor”, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një nen të ligjit duke reduktuar disa kompetenca të kancelarëve në gjykata, që kanë të bëjnë me emërimin dhe shkarkimin e personelit dhe sekretarisë gjyqësore. Ndryshimet në ligj caktonin se kancelarët e gjykatave emërohen dhe shkarkohen nga ministri i Drejtësisë.
Po kështu, Kushtetuesja ka rrëzuar pak kohë më parë disa ndryshime në ligjin e legalizimeve. Gjykata, me 5 vota pro dhe 4 kundër, i dha të drejtë kërkesës së socialistëve, duke rrëzuar ato kompetenca të ALUIZNI-t, i cili, gjatë procesit të legalizimeve, ia kishte marrë pushtetit vendor.
Një tjetër ligj i shfuqizuar dhe i cilësuar si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese ka qenë ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”. Ky ligj është ankimuar nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe gjatë shqyrtimit Kushtetuesja pranoi pretendimet e tyre për përfshirjen në Konferencën Kombëtare të gjyqtarëve të të gjitha niveleve, si dhe miratimin e një ligji që parashikon funksionimin e këtij organi me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese, gjatë këtyre viteve ka dalë kundër qeverisë në lidhje me çështje të reformës në administratën publike. Këtë e ka bërë duke rrëzuar tri vendime të qeverisë “Berisha”, të njohura si vendimet që synonin të luftonin nepotizmin në administratën publike. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtyre VKM-ve u bë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Avokati i Popullit dhe nga Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut. Argumenti kryesor që palët e interesuara paraqitën ka qenë ai i kufizimit pa ligj i të drejtave të njeriut të parashikuara në Kushtetutë, duke u shkelur parimin e barazisë para ligjit. Kushtetuesja pranoi argumentet e grupeve të interesit duke rrëzuar vendimet e qeverisë “Berisha”.
Një tjetër ligji i rrëzuar ka qenë ai për përcaktimin e pagave të institucioneve të pavarura kushtetuese. Shfuqizimi i gjashtë neneve të ligjit të mësipërm është kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Avokati i Popullit, ndërkohë që palë të interesuara, të përfaqësuara në Kushtetuese, kanë qenë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pretendimi e këtyre institucioneve se një pjesë e mirë e ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën është vlerësuar i drejtë nga nëntë anëtarët e Gjykatës gjatë vendimit të shpallur.
Së fundi, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Marrëveshjen e qeverisë “Berisha” me Greqinë për vijën ndarjes kufitare detare, si dhe ligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit duke i konsideruar ato në mospërputhje me Kushtetutën e vendit.

Ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese

Ligji “Për funksionimin e Gjyqësorit”
Ligji “Për legalizimet dhe urbanizimet”
Ligji “Për procedurat tatimore, gjobat”
Ligji “Për miratimin e aktit normativ për urbanistikën”
Ligji “Për miratimin e aktit normativ për prefektin”
Ligji “Për Akademinë e Shkencave”
Ligji “Për dosjet”
Ligji “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”
Marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për kufijtë detarë

Ligori: “Dosjet të hapen përmes një ligji që respekton Kushtetutën”

Pas anulimit të ligjit “Për pastërtinë e figurave” nga Gjykata Kushtetuese, ka reaguar Partia Socialiste, duke e cilësuar si atentatin e 17-të të kryeministrit Sali Berisha. Deputetja e PS-së, Shegushe Ligori, deklaroi dje se dosjet duhet të hapen, por përmes një ligji të ri për të cilin Partia Socialiste është e gatshme të japë kontributin e saj. Ajo theksoi se ligji i ri në radhë të parë duhet të respektojë Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. “Sepse Sali Berisha duhet ta dijë se hetimi i krimeve të së shkuarës nuk mund të bëhet për të larë mëkatet e së tashmes”, - tha Ligori. “Sot, në më pak se një javë, Sali Berisha shënoi një tjetër rekord të turpshëm në historinë e demokracisë shqiptare, një rekord të denjë për një vend si Venezuela, por jo për Shqipërinë që kërkon të integrohet në Europë. Sot Gjykata Kushtetuese certifikoi atentatin e 17-të të Sali Berishës ndaj Kushtetutës, duke hedhur poshtë në unanimitet ligjin për pastërtinë e figurave, një ligj ky i kundërshtuar jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga Komiteti i Helsinkit dhe nga Këshilli i Europës”, - u shpreh deputetja Ligori.

PD-ja akuzon Gjykatën Kushtetuese: “Ligjin për hapjen e dosjeve e rrëzuan gjyqtarët e vrasjeve”

Partia Demokratike ka reaguar dje nëpërmjet deputetes Mesila Doda, e cila e ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të dosjeve. Ajo është shprehur se këtë ligj e rrëzuan të njëjtët gjyqtarë që kanë dhënë vendime për vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Partia Demokratike, e cila më parë u shpreh se do të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, deklaroi dje se ky vendim për rrëzimin e projektligjit për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit do të ankimohet në Gjykatën e Strasburgut, duke mos pranuar vendimin e Gjykatës së Shqipërisë.
“Shtypi shqiptar njoftoi se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar, kjo edhe falë presionit politik të opozitës dhe personalisht të Edi Ramës ndaj kësaj trupe gjykuese. E cilësoj këtë si aktin më të rëndë në mbështetje të krimeve të rënda kundër njerëzimit të sistemit komunist, krime të cilat janë kryer sistematikisht në këtë vend për 50 vjet rresht. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në dhunim flagrant të direktivës së 23 qershorit 2008 të Gjykatës së Strasburgut mbi konfliktin e interesit të trupave gjykuese dhe të parimit universal të konfliktit të interesit. Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ‘89, janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit”, - është shprehur deputetja e PD-së, Doda. Ajo theksoi se “ky vendim shënon një akt të hapur kundër paqes sociale në vend, dhe për këtë arsye jam këtu si deputete dhe si anëtare e delegacionit të Parlamentit Shqiptar pranë Këshillit të Europës, për të garantuar opinionin publik se si individualisht, ashtu dhe me kolegë të tjerë do të bëj çdo përpjekje që Shqipëria të ndahet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e saj në mënyrë ligjore”, - është shprehur Doda, ndërsa ka bërë publike disa opsione për hapjen e dosjeve. “Së pari, paraqitja e një ligji të ri në Parlament për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar. Së dyti, dërgimi i këtij ligji në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ju bëj me dije gjithashtu se së bashku me kolegë të tjerë nuk do të ngurrojmë të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor për këtë çështje madhore, në mënyrë që xhelatët të mos qëndrojnë më në pushtet dhe që Shqipëria të ndahet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e saj komuniste”, - është shprehur Doda.

2 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›