Gurakuqi: Pas 90 vitesh solla në skenën italiane kryeveprën e Giordanos
Në kuadër të aktivitetit “Musica Civica” që zhvillohet në Italinë fqinjë nga 29 nëntori 2009 deri në 21 shkurt 2010, është vënë në skenën italiane një prej kryveprave më të bukura të kompozitorit italian Umberto Giordano pas 90 vitesh. Opera “Giove a Pompei”, ekzekutimi në kohë moderne, është opera që regjisori Nikolin Gurakuqi ka vendosur së fundmi në skenën italiane. Këtë vepër mediat italiane, e kanë cilësuar si një sukses të vërtetë dhe kanë shkruar artikuj të ndryshëm për pjesën dhe suksesin e regjisorit shqiptar. Vetë regjisori shqiptar Gurakuqi tregon se në Tiranë vetëm një prej veprave të tij është vënë në skenën shqiptare, e ndërkohë që ai tregon se vepra u vu në dy qytete italiane. “Duke qenë që Umberto Giordano ishte një kompozitor i shquar nga qyteti i Foxhias, ai e ka shkruar një numër veprash që në Shqipëri është lozur vetëm “Adrea Chinier”, por ai ka dhe shumë opera të tjera të suksesshme që luhen në të gjithë botën, ndërsa kjo ishte një partiturë e humbur që nga viti 1921. Nuk ishte lozur në skenë, asnjë regjistrim, as audio dhe nuk bëhet fjalë për video. Duke qenë që z. De Palma, ai që më ftoi është drejtor artistik i aktivitetit atje në këtë sezon koncertor operistik, ai veç drejtorit është dhe profesor në Koservatorin e Foxhias dhe kishte kohë që ishte në kërkim të kësaj partiture, e gjeti dhe më propozoi mua si regjisor”, pohon regjisori Gurakuqi. Më tej duke folur mbi mesazhin ai tregon se vepra bën fjalë për Pompein. “Ajo është një vepër ku Zeusi vjen nga Olipmi për të dënuar Pompeianët, që shkatërruan statujat e Zeusit dhe Perëndive për arsye të gërmimeve arkeologjike, pasi ata me anë të gërmimeve fallco ata jetonin, shisnin statuja me baltë, duke i shitur si gërmime arkeologjike dhe kjo është një vepër shumë e bukur”, cilëson regjisori. Vepra u ngjit në skenë në datën 17 janar, duke sjellë një atmosferë të bukur në skenën italiane. Me një kast solistësh si Cuney Unsal- Giove; Eugenio Leggiadri- Parvolo Pataça; Raffaella Palumbo-Lalage; Ida Fratta-Calpurnia; Nunzio Fazzini- Marcus Pipa; Safa Korkmaz- Aribobolo, drejtor orkestre Marco Moresco, pjesa me muzikë të Umberto Giordano dhe Alberto Franchetti, që u vu premierë pas 90 vjetësh në skenën e teatrit të Fuoco di Foggia dhe në teatrin Garibaldi, ishte fryt i një pune të madhe të regjisorit shqiptar Nikolin Gurakuqi, që arriti të krijojë për publikun një Pompei në prag katastrofe.
“Shqipëria në Toskanë”, një ekspozitë kundër ndikimeve negative
Shoqata shqiptare “Rilindja”, ASUF (“Albanian Student of University of Florence”) dhe “Lidhja e Artistëve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Toskanë” (L.A.S.A.T). “Shqiptarët në Toskanë” do të paraqiten më një ekspozitë të përbashkët në Firence të Italisë. Skulptorja Liljana Kosturi, piktorët Bardhyl Alibali e Alban Berberi, si dhe fotografët Altin Shuaipi e Lek M. Gjeloshi do të pjesë e kësaj ekspozite. Nën titullin “Shqipëria në Toskanë. Kur kultura kthehet në urë”, kjo ekspozitë, e cila do të çelet më 5 shkurt, vjen si një iniciativë e shoqatës shqiptare “Rilindja”, ASUF (“Albanian Student of University of Florence”) dhe “Lidhja e Artistëve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Toskanë” (L.A.S.A.T). “Shqiptarët në Toskanë” është një mënyrë ndryshe për të dhënë një mesazh dhe për të zbehur pak ndikimin e gjithë informacioneve jo rrallëherë edhe të rreme që shfaqet në media në lidhje me komunitetin e shqiptarëve në Itali. Bëhet fjalë për një fushatë në të cilën do të marrin pjesë shoqata të ndryshme, për të luftuar stereotipin që fshihet nën përcaktimin “shqiptar”. Dhe për të realizuar objektivin, shqiptarët e Italisë kanë gjetur mjetin më të mirë me të cilin mund të përfaqësohen denjësisht, kulturën. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 shkurt në “Shtëpinë e krijimit” në Firence.
1 Shkurt 2010