E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE, diskutim për demokracinë e pushtetit vendor në Shqipëri

Një tjetër çështje që pritet të diskutohet nga Këshilli i Europës është demokracia vendore dhe përplasja me qeverisjen qendrore në vendin tonë. Burimet zyrtare në Strasburg bëjnë të ditur se Kongresi i Këshillit të Europës për Autoritetet Lokale dhe Rajonale ka futur në axhendën e sesionit të datës 17-19 mars konfliktin më të fundit mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore. Sipas tyre, anëtarët e Kongresit do të debatojnë për rolin e autoriteteve lokale në zbatimin e të drejtave të njeriut dhe në Deklaratën e Utrecht-it mbi qeverisjen vendore dhe rajonale. Ata do të ekzaminojnë rekomandime dhe rezoluta që priten të miratohen për çështje të tilla, si: ndryshimet klimaterike, bashkëpunimi Veri-Jug, gjuhët e minoriteteve, transporti ndër-rajonal, çështjet e barazisë gjinore dhe integrimin e të rinjve. Në debatet që kanë të bëjnë me Shqipërinë janë parashikuar përplasjet mes bashkive të drejtuara nga socialistët dhe qeverisë vendore, përsa u përket çështjeve të menaxhimit të buxhetit dhe sistemit të taksave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri një protestë në fund të vitit të kaluar, bashkë me të zgjedhurit e tjerë vendorë socialistë, ku parashtruan disa kërkesa për qeverinë në të ashtuquajturin “Apeli publik”. Në muajin nëntor vizitoi Tiranën zyrtare një delegacion i Kongresit të Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës, i cili pritet që të mbajë një raport në mbledhjen e Asamblesë së këtij kongresi, që do të mbahet në mesin e muajit mars të këtij viti.

2 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›