Delegacioni italian i çiklizmit, “mysafir” në zyrat e KOKSH-it

Albania-Sport - Drejtuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) priten sot në një takim pune një delegacion sportiv italian, te kryesuar nga Presidenti i Federatës Italiane të Ciklizmit (njëkohësisht zv/President i UCI), Renato Di Rocco, Presidenti i Komitetit Olimpik Rajonal të Puglias, Michelle Barbone (njëkohësisht përfaqësues i CONI) dhe Drejtori Teknik i Federatës Italiane të Ciklizmit, Silvio Martinelli.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Ciklizmit (FSHC), Skënder Anxhaku, në prani edhe të Shefit të Misionit të Lojërave Olimpike të KOKSH, Fidel Ylli (njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit Teknik të KOKSH), Sekretarit të Përgjithshëm Stavri Bello dhe anëtarit të Komitetit Ekzekutiv, Vladimir Gjoni, shprehu kënaqësinë për mundësitë e bashkëpunimit dhe për mbështetjen e KOKSH per ciklizmin shqiptar në rrugën për Lojërat Olimpike "Pekin 2008".
Pas pritjes protokollare, palët dolën në një konferencë shtypi, ku Presidenti i KOKSH, Hysen Domi, shprehu edhe një herë kënaqësinë e vecantë për vizitën dhe urat konkrete të bashkëpunimit, të cilat janë vendosur mes dy Komiteteve Olimpike si rrjedhoje edhe e Protokoll-Marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2003, nga e cila burojnë edhe frytet respektive për sportin shqiptar e më konkretisht edhe për ciklizmin.
Ndërsa përfaqësuesi i CONI, Barbone, u shpreh se CONI ka kënaqësi të japë asistence konkrete ne të gjitha sportet dhe jo vetëm për ciklizmin, ndihmën konkrete për të cilin do ta japë në organizimin e Kampionatit Ballkanik të Ciklizmit në Shqipëri në korrik të këtij viti, por edhe në të gjitha sportet dhe fushat e shkencës sportive, ku do të kërkohet nga KOKSH për anëtarët e vet.
Presidenti i Federatës Italiane të Ciklizmit, Rocco, tha se "për mua është një gëzim, që ne dhe Federata Shqiptare kemi një linjë kaq të mirë bashkëpunimi dhe besoj që ne mundemi t'i bëjmë përpjekjet e përbashkëta konkrete qe të japin fryte. Federata Italiane do të mbështesë FSHC, pasi ajo drejtohet nga njerëz pasionantë dhe entuziastë si Skënder Anxhaku dhe se ka një brez e një shkollë ciklizmi, qe është shume e respektuar dhe vetëm i duhet dhënë një dorë në rrugën e saj. Mjafton që ne të na kërkohet bashkëpunimi dhe do të jemi shumë konkretë në mbështetjen që do të na kërkohet nga ju", tha ai.