E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delegacioni kosovar pritet në Shtëpinë e Bardhë

Uashington - Një delegacion i Ministrisë së Shërbimeve Publike të Kosovës, i kryesuar nga ministri Arsim Bajrami, i cili ndodhet për vizitë në SHBA, pati takime të veçanta në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Në takimin në Shtëpinë e Bardhe, Katherine M. Helgerson, drejtoreshë për Çështje të Evropës Juglindore në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, shprehu përkushtimin e shtetit amerikan dhe të politikës amerikane për vazhdimin e bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit, respektivisht bashkëpunimit të vazhdueshëm me Republikën e Kosovës.

Bajrami dhe Helgerson diskutuan për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, për zbatimin e Paketës së presidentit Ahtisaari, të Planit të decentralizimit, themelimin dhe konsolidimin Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe për themelimin e Gjykatës Kushtetuese, si një ndër sukseset në fushën e respektimit të ligjit.

Në Departamentin e Shtetit, delegacioni kosovar u prit nga Xhezon P. Hailand, drejtor i Zyrës për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore. Duke vlerësuar punën e deritanishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pikërisht në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit, Hyland shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe interesimin për progres të vazhdueshëm në proceset politike në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›