E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni ndërkombëtar në Kosovë, shqyrton takim me Beogradin

>Tre udhëheqësit e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, po shqyrtojnë një propozim që dëshirojnë tua bëjnë autoriteteve serbe për një takim të nivelit të lartë në Beograd. Delegacioni i përbërë nga përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon dhe ai i OKB-së, Lamberto Zannier, pritet që të kërkojë një takim me autoritetet qeveritare serbe, për të diskutuar çështjet e interesit të përbashkët të Kosovës me Serbinë. Takimi i nivelit të lartë me zyrtarët serbë paralajmërohet se mund të zhvillohet brenda këtij muaji, thonë zyrtarë ndërkombëtarë. Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, ka takuar në fundjavën e kaluar, zotin Feith, pas vizitës në New York dhe takimit me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Ky i fundit i ka bërë ftesë zotëri Zannier për ta vizituar Beogradin dhe për të filluar diskutimet mbi zbatimin e një plani gjashtëpikësh të OKB-së, sipas të cilit serbëve të Kosovës iu ofrohet një autonomi më e zgjeruar në fushën e drejtësisë, policisë dhe doganave. Drejtuesit e misionit të OKB-së në Kosovë, thonë se po shqyrtojnë mundësinë e përcaktimit të rolit të tyre në bisedimet e paralajmëruara mes Prishtinës e Beogradit dhe pjesëmarrjes së tyre në këto takime. Por autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar një prani më të fuqishme ndërkombëtare në bisedimet me Beogradin, duke përjashtuar mundësinë e përfshirjes së UNMIK-ut në takime. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se bisedimet me Beogradin zyrtar do të mund të zhvilloheshin vetëm në kuadrin e dy vendeve të pavarura dhe vetëm për çështjet teknike, me një ndërmjetësim të SHBA-së dhe të BE-së. "Në Ballkan është treguar, e sidomos në Kosovë, se nuk mund të ketë ndonjë arritje nëse nuk ka ndonjë ndërmjetësim adekuat ndërkombëtar. Mbi këtë bazë ne mendojmë se një rol të veçantë duhej të luajnë SHBA-ja dhe BE-ja.
Mendoj se është pajtueshmëri e të gjithëve se UNMIK-u është në përfundim të mandatit dhe të vetë misionit që ka qenë në Kosovë dhe çdo fillim nuk do të premtonte se ai do të ishte brenda, gjatë tërë kohës, në këtë sistem të ri dhe nuk është shumë i dobishëm. Nuk është qëllim yni që ta ringjallim UNMIK-un, por që ai ta përfundojë mandatin me dinjitet", citohet të ketë thënë zotëri Kuçi. Por ndërkohë, zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë thonë se gjatë javës pritet një takim i Zannier me shefin e misionit evropian për drejtësi dhe polici, Yves de Kermabon, për të harmonizuar qëndrimin rreth vizitës së mundshme në Beograd. Ai ka kërkuar edhe një takim me udhëheqësit politikë të Kosovës për t'i njohur ata me takimin që ka zhvilluar në New York me ministrin e Jashtëm të Serbisë dhe për të diskutuar çështjen e fillimit të dialogut të shumëpërfolur me Serbinë. Zyrtarët ndërkombëtarë thonë se ka pak gjasa që takimi i nivelit të lartë të zhvillohet në Beograd, posaçërisht duke marrë parasysh pozitën e përfaqësuesit të BE-së, Pieter Feith në Kosovë dhe përgjegjësitë që ai mban.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›