E Diel, 1 Nëntor 2026

çdo vit 500 ha tokë shkatërrohennë Kosovë

PRISHTINE-Kosova është nën minimumin ekzistencial të tokës bujqësore për banor, çfarë paraqet rrezik për sigurimin e ushqimit në të ardhmen.
Kështu njofton sot Radio Europa e Lirë në një artiull në faqen online.

“Në dekadën e fundit, vetëm brenda një viti shkatërrohen rreth 500 hektarë tokë bujqësore, të cilat janë shndërruar në tokë ndërtimor”, citohen të kenë thënë zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të bujqësisë.

Procesi i shkatërrimit dhe dëmtimit të tokës bujqësor, sipas tyre, paraqet problem shqetësues për sigurimin e ushqimit në të ardhmen.

Ilaz Gashi, shef i divizionit për tokë bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, thotë se sipërfaqja e tokës së punuar është mjaft e ulët - llogaritet të jetë rreth 0.15 hektar për kokë banori, ndërkaq sipas standardeve ndërkombëtare, minimumi ekzistencial për prodhimin e ushqimit të mjaftueshëm, është 0.17 hektarë për kokë banori.

“Jemi nën minimumin ekzistencial, çka paraqet vështirësi për të ardhmen, e sidomos për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Një sipërfaqe e madhe e tokës bujqësore, shton Gashi, është shndërruar në tokë urbane në mënyrë të paplanifikuar, për zgjerimin e zonave urbane, ndërsa në pjesën tjetër janë ndërtuar objekte për veprimtari ekonomike dhe banimi".
E gjithë kjo, sipas Gashit, ka ndodhur për shkak të lëvizjeve të popullatës nga zonat rurale në ato urbane.

“Toka, e cila vlerësohet se është dëmtuar, apo i është ndërruar destinimi prej tokës bujqësore për qëllime tjera, kryesisht është për veprimtari ekonomike, veprimtari tregtare, shërbyese, për pompa të benzinës, për ndërtime individuale e kolektive”.

“Dhe, ajo çka është më e keqja, këto janë buzë rrugës magjistrale dhe rajonale, të cilat kanë një kualitet të lartë të tokës, që paraqet një disavantazh për zhvillimin e sektorit të bujqësisë”, shprehet Gashi.

Kosova ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë e 887 kilometra katror.

Ndërsa, sipas disa statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, 200 mijë familje ose rreth një milion banorë tani janë duke jetuar në shtëpi të reja në tokat bujqësore të ndërtuara pas vitit 1999.

Shkatërrimi i tokës bujqësore, apo ndryshimi i destinimit të saj, ka ndikuar që Kosova të varet nga importi i produkteve të grurit, dhe në këtë mënyrë, lëvizjet e çmimeve të produkteve të konsumit në botë, po ndikojnë edhe në vendin tonë, shtojnë për temën ekspertë të bujqësisë

Por, në Kosovë ekzistojnë mekanizma ligjorë që parandalojnë shkatërrimin e tokës.

Idriz Gashi, thotë se ekziston Ligji për tokë bujqësore, por përgjegjës për zbatimin e këtij ligji janë kuvendet komunale, ndërsa Ministria e Bujqësisë e bën monitorimin e zbatimit të tij.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›