E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni shqiptar mungoi ne votimin e raportit Marty

Vota e munguar

Delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ‘u harrua’ të ftohet në Paris, ku u votua projektrezoluta e deputetit zviceran, Dick Marty, që akuzonte Kosovën dhe Shqipërinë për trafik. Në mbledhjen e 16 dhjetorit munguan kryetari i delegacionit shqiptar në asamblenë parlamentare të KiE-së, Ilir Rusmali dhe dy përfaqësuesit, Shpëtim Idrizi dhe Damian Gjiknuri. Deputeti dhe kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi dhe anëtari zëvendësues i tij, Damian Gjiknuri nuk ishin të pranishëm në mbledhje për arsye që ata kanë sqaruar për mediat se, “nuk ishim në dijeni për mbledhjen e të enjtes në Paris”. Po ashtu, edhe deputeti Ilir Rusmali, që kryeson delegacionin e deputetëve shqiptarë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, thotë se nuk ka pasur dijeni. Sipas deputetëve të kontaktuar, njoftimi duhet të kishte ardhur nga Këshilli i Europës.

Reagimi i deputetëve

Deputeti dhe kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi konfirmon se përpara fillimit të sesionit të janarit 2011, ai do të kërkojë në mbledhjen e grupit, që grupi parlamentar i Aleancës së Demokratëve dhe Liberalëve për Europën të dalë me një qëndrim kundër projektrezolutës. Nëse kërkesa do t'i rrëzohet, ai do ta braktisë publikisht këtë grup. Në çdo rast, deputeti Idrizi konfirmon se deputetët shqiptarë do të bashkërendohen përpara sesionit plenar të Asamblesë, që do të mblidhet më 24 janar 2011. Strategjia që do të ndjekin deputetët shqiptarë që janë pjesë e delegacionit zyrtar në Strasburg konfirmon se do të mbërrihet në Strasburg disa ditë më parë, për të lobuar kundër projektrezolutës që pritet të votohet nga Asambleja. Janë 318 deputetë nga 47 vende anëtare të Këshillit të Europës, që kanë të drejtë vote në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Votimi i projektrezolutës

Projektrezoluta e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, e miratuar të enjten me unanimitet në Paris, duhet të kishte pasur të paktën një votë kundër: atë të përfaqësuesve të Shqipërisë. Në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Shqipëria përfaqësohet nga deputeti Shpëtim Idrizi, dhe si anëtar zëvendësues, deputeti Damian Gjiknuri. Deputeti Shpëtim Idrizi, përveçse është anëtar i Komisionit të Ligjeve, është edhe anëtar i të njëjtit grup parlamentar ku bën pjesë deputeti zviceran Dick Marty, raporti i të cilit shërbeu si bazë për projektrezolutën e Komisionit të Ligjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›