E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja e Zvicres ne Tirane Jane qendrime personale

Akuzat e Carla Del Pontes, diplomacia shqiptare merr lëshimin e parë. Haxhinasto thërret në takim Ivana Enzler

Shqipëria merr një përgjigje të parë pozitive rreth uljes së statusit të akuzave të bëra në adresë të saj për të shumëpërfolurin trafik organesh. Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka thirrur dje në një takim ambasadoren e Zvicrës në Tiranë, Ivana Enzler, me të cilën ka diskutuar rreth deklarimeve të ish-prokurores Karla Del Ponte, e cila aktualisht është ambasadore e Zvicrës në Argjentinë. “Deklaratat e zonjës Del Ponte janë të papranueshme dhe shtrembërojnë realitetin në të cilin janë zhvilluar hetimet në vitin 2003 për akuzat për trafikim të organeve njerëzore, të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë”, - është shprehur Haxhinasto në takim. Nga ana e saj, ambasadorja zvicerane ka reaguar duke përcjellë qëndrimin zyrtar të Bernës për çështjen e ngritur nga raporti i parlamentarit Dick Marty për trafikun e organeve gjatë luftës së Kosovës, ku përfshihet edhe Shqipëria. “Pikëpamjet e shprehura nga znj. Del Ponte, në intervistën për “Euronews”, janë pikëpamjet e saj personale dhe nuk shprehin aspak qëndrimin apo pikëpamjet e qeverisë së Zvicrës”, - ka deklaruar Enzler, duke i dhënë Shqipërisë edhe qëndrimin zyrtar të shtetit të saj. Kështu, në planin diplomatik, akuzat e Marty-t dhe Del Ponte, si protagoniste letrare e kësaj çështjeje, Tirana zyrtare ka marrë një garanci tjetër se loja që po zhvillohet së shpejti ka gjasë të destrukturohet drejt deklarimeve mediatike dhe nismave të izoluara personash apo segmentesh të caktuar në Europë. Një sinjal për këtë duket se vjen edhe nga Serbia, sado tërthorazi. Kështu, numri dy i Prokurorisë serbe, Bruno Vekariç është shprehur për gazetën “Blic” se, “Serbia nuk do të ngrejë çështje ndaj Hashim Thaçit”, për shkak të implikimit politik, por edhe pamundësisë për të arritur të realizojë një qitje të tillë kaq lart. Sipas Vekariç, Prokuroria serbe do të përqendrohet në të dhënat e bollshme që disponon në raportin e Dick Marty-t, gjithnjë duke parë si rol kryesor “ndihmën ndaj EULEX-it dhe organeve të Shqipërisë në këtë drejtim”. Ky është një hap që moderon ndjeshëm agresivitetin e qëndrimeve të kreut të Prokurorisë serbe, i cili ka kërkuar prioritet për këtë çështje. Përballë kësaj zbythjeje me karakter politik, vetë raportuesi Dick Marty ka dhënë dje të dhëna që mbështesin tezën e tij, sidomos për atë që konsiderohet si qendra e sulmit: Grupi i Drenicës. Vetë raporti është publikuar i plotë nga gazeta e Beogradit “Politika”, e cila i ka mëshuar idesë se, “të dhëna nga burime e lidhin Hashim Thaçin me ‘Grupin e Drenicës’”. Brenda këtij grupi përfshihen emra të njohur të lëvizjes kosovare, ish-UÇK-së, që aktualisht mbulojnë detyra me rëndësi në institucionet e shtetit të ri. Në këtë kuadër që del nga shtrati i akuzës penale për t’u adresuar si veprim politik, duhet parë edhe përfshirja e Shqipërisë, e cila del në këtë aspekt si palë mbështetëse aktive. Një akuzë e përsëritur nga të njëjtët njerëz, e që mesa duket po shkon drejt një procesi të mbyllur, sidomos për sa i përket njollosjes penale të ekipit drejtues shqiptar në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›