E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta Rruga Nish-Durres pergjysmon distancen e Serbise ne Adriatik

Vizita Kreu i LSI-së përshëndet kongresin e partisë së Boris Tadiç në Beograd. Nënvizohet bashkëpunimi ekonomik

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duket se është i pari politikan shqiptar i pluralizmit që ka mbajtur një fjalë përshëndetëse gjatë një kongresi partiak në Serbi. Bëhet fjalë për vizitën e tij së fundmi në Beograd, ku ministri i Ekonomisë është takuar me Presidentin serb, Boris Tadiç, partia e të cilit ka zhvilluar sot kongresin e vet. “Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta ndodhet në Beograd me ftesë të Tadiç për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Demokratike Serbe... Meta do të jetë në mesin e pesë krerëve të delegacioneve të partive të huaja, anëtarë të Internacionales Socialiste”, - informon zyra e shtypit të LSI-së. Një hap i cili vjen në një klimë rajonale të ngarkuar me akuza serbe ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ajo që bën përshtypje në këtë vizitë është konteksti i saj i zgjeruar, që përfshin përveç axhendës së “detyruar” partiake, edhe atë të thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Fjala e Metës është përqendruar te vizioni europian që duhet të bashkojë të dy vendet dhe për të cilin sipas tij, në Serbinë post-konfliktuale PDS e Tadi35it është investuar maksimalisht. Numri dy i qeverisë shqiptare ka zbuluar edhe idenë për projekte madhore infrastrukturore, mes të cilave edhe ajo për lidhjen rrugore. “Rruga nga Nishi në Prishtinë, nga Prishtina në Kukës, dhe me tej në Portin e Durrësit, e cila do të përgjysmojë distancën nga Serbia në Adriatik, nuk është një dëshirë, por tashmë një pjesë e saj, është një realitet dhe ne mund të punojmë së bashku për të krijuar arterie që do të lidhin kombet tona”, - ka thënë Meta, duke e zgjeruar përmbajtjen nominale të Rrugës së Kombit, në ‘Korridor Ndërkombëtar’. Po sipas informacioneve që vijnë nga LSI-ja, Presidenti serb përshëndeti reformat e Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe arritjen e liberalizimit të vizave. “Tadiç, duke inkurajuar Shqipërinë për reformat e bëra në drejtim të integrimit në BE, uroi zv/kryeministrin Meta për liberalizimin e vizave”, - thuhet në njoftimin e LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›