E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule Regjistrimi nese qeveria nuk bashkepunon nuk e njohim

Qëndrimi Minoriteti, PBDNJ pranon dështimin e programit fillestar për shtetin e së drejtës

Rikthehet çështja e regjistrimit të popullsisë. Konferenca IX e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për Tiranën ka trajtuar edhe këtë problem të mbajtur gjatë në axhendën e kësaj partie. Duke folur në këtë aktivitet, që i është kushtuar përgatitjeve për zgjedhjet e 8 majit 2011, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka kërkuar nga qeveria “nisjen e bashkëpunimit me komunitetet minoritare”, për sa i përket regjistrimit. Madje ai e ka vendosur këtë kërkesë si kusht për njohjen e vetë procesit, i cili në fakt është tagër dhe e drejtë e institucioneve që operojnë me metoda dhe formularët e miratuar. Por regjistrimi duket të jetë një pjesë e mbetur e kauzës së PBDNJ-së, shteti i së drejtës, kauzë e cila është shpallur dje e humbur nga drejtuesit e kësaj partie. “Kemi dështuar në objektivin strategjik të kësaj lëvizjeje, shtetin e së drejtës, respektin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve”, tha Vangjel Dule. Një opinion i rëndësishëm ky që vjen tanimë nga një pjesë e minoritetit, por jo nga i gjithë ky komunitet që ka zgjedhur së fundmi përfaqësime të ndryshme nga PBDNJ, apo edhe Omonia. Ky qëndrim i Dules është aktualizuar edhe me aksionet e fundit opozitare, teksa mohimi i votës së lirë është në finale një e drejtë ende e paplotësuar nga politika shqiptare. “Jo demagogji, ne duam sundim të ligjit, respektimin e së drejtës dhe e para vjen vota. Kur kjo votë shpërdorohet, nuk respektohen të gjitha derivatet, do të luhet dhe më keq”, tha Dule. Por kritikat ndaj qeverisë janë shoqëruar edhe me kritika ndaj vetë drejtimit të partisë dhe punës së saj. Sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, ka nënvizuar nevojën e rritjes së përfaqësimit dhe punës për të mbajtur gjallë atë investim të nisur 20 vjet më parë. “Zëri i kësaj partie ka filluar duke u zbehur, duke filluar nga kryesia. Këto probleme duhet të zbulohen, duhet të propozohen strategjitë dhe alternativat më të mira të mundshme. Duke pasur një politikë të shterpë dhe në qoftë se mbledh njerëz të përkushtuar, do t’i humbasë ata njerëz rrugës. Një parti duhet të jetë e përkushtuar që nëpërmjet një grupi të përfaqësojë interesat e një grupi, ndonëse dhe sasia ndikon shumë”, vijoi më tej Solis. Analiza kritike e partisë së drejtuar nga Vangjel Dule vjen në një kohë kur realiteti politik brenda minoritetit është fragmentarizuar ndjeshëm nga dalja në skenë e një partie të re, MEGA. E krijuar nga njerëz që dikur aderonin në PBDNJ, MEGA rivalizon edhe për perspektivën politike në minoritetin grek, e cila do të ketë një provë të parë në zgjedhjet e 8 majit 2011.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›